Ish kryeshefi i NPL “Eko Natyra” në Skenderaj, Arben Veliu e ka fituar betejën përballë pushtetit aktual të Skenderajt, pasi që i njëjti përmes një postimi në rrjetin social “facebook” ka njoftuar së pas inspektoratit të punës, tani edhe gjykata themelore e Mitrovicës e ka cilësuar shkarkimin e tij si të kundërligjshem, shkruan portali rajoni.org.
Tutje, Veliu ka njoftuar së do të ngris kallëzim penal për secilin anëtar/e të bordit, siç e quan ai “për dëmtimin e imazhit që janë munduar të ma bëjnë”.
Ai ka thënë së vendimi i gjykatës e obligon punëdhënësin për kthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës dhe obligon té bëjë kompensimin e të ardhurave personale (pagat mujore) nga dita kur është ndërprerë marrëdhënia e punës dt; 14.06.2022, jashtëligjshëm e e cila kap dhjetëra mijëra euro.
Postimi i plotë i Veliut në facebook:
Të nderuar qytetarë të komunës së Skënderajt, shokë dhe miq kudo që jeni!
Siç edhe shumë prej jush e dini, për një periudhë te shkurt kam qenë Kryeshef Ekzekutiv në ndërmarrjen NPL “Eko Natyra” SH.A. në Skënderaj. Kam krijuar ekip funksional, punët e të cilëve janë përshëndetur nga çdo kalimtar rasti. Kemi arritur të krijojmë bindjen mes qytetarëve të Skënderajt se një NPL vërtet mund të bëjë punë të mira. Mirëmbajtja e hapësirave dhe objekteve publike nisi të ndryshojë dhe përdoruesit e tyre filluan të jenë falënderues.
Por, kjo u ndërpre, Bordi i Drejtorëve vendosi të më shkarkojë nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje me arsyetimin se kam treguar performancë të dobët pune dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas kësaj jam përballur me paragjykime të shumta mbi performancën time dhe “keqpërdorimet” që paskam bërë. Për këtë arsye, nga koha e shkarkimit, kam iniciuar një proces gjykimi ndaj këtij vendimi të Bordit. U bënë më shumë se dy vite në këtë proces, të cilit po i afrohet fundi.
Tani kam kënaqësinë të ju njoftoj se kamë pranuar Vendimin C.nr. 233/2022 të marrë me datë 28.06.2024 nga Gjykata Themelore Mitrovicë – Dega në Skënderaj. Ajo vërtetoi se Vendimi i Bordit për shkarkim të Kryeshefit Ekzekutiv është kundër ligjor. Si i tillë duhet të anulohet. Ky vendim obligon punëdhënësin për kthimin tim në vendin e mëparshëm të punës dhe të bëjë kompensimin e të ardhurave personale (pagat mujore) nga dita kur është ndërprerë marrëdhënia e punës dt; 14.06.2022, jashtëligjshëm.
Jo rastësisht e fillova shkrimin tim “Të nderuar qytetarë të komunës së Skënderajt”, sepse jam i bindur që 99% nga ju, jeni ndier keq kur keni kuptuar lajmin për shkarkimin tim nga puna. Këtë ma keni thënë kur jemi takuar apo edhe kur më keni shkruajtur. Pjesa tjetër e mbetur prej 1%, nuk kanë pasur guxim të më dalin përballë, jo nga frika e ndonjë sulmi nga ana ime, por nga pafytyrësia e tyre. Meqenëse janë 1%, me ta unë nuk dua të merrem më shumë.
Ata që kishin dhënë urdhrin, e të tjerët kishin vënë nënshkrimin, ju them, mos qofsha në lëkurën tuaj.
Do të ngris kallëzim penal për secilin anëtar/e të bordit, për dëmtimin e imazhit që janë munduar të ma bëjnë.
Kam punuar me përkushtim të madh, e sot kam plot arsye të jem krenar, jo vetëm për vetën time. Për vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë që punojnë në NPL “Eko Natyra” Sh.A të cilët kudo që i kam takuar, kanë qenë të sjellshëm duke më përshëndetur e duke u ndier keq, për veprimet e të tjerëve të cilët do duhej të ndiheshin keq.
E vlerësoj lart punën profesionale të Gjykatës, korrekt në shqyrtimin e lëndës.
Por këtë lëndë më së miri e kishte përgatitur dhe mbrojtur avokati z. Arbër Fazliu, i cili me kompetencë e profesionalizëm arriti që edhe vetë palën tjetër ta bind për veprimin e gabueshëm, për të cilin ia lehtësoi shumë punën gjyqtarit.
Për veprimin e gabueshëm të Bordit, ju kishte treguar edhe inspektorati i punës së regjionit të Mitrovicës. Me datë 13.09.2022 vërtetoi se vendimi për shkarkim, ishte i pa drejtë. Ata i falënderoj për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar.
Tani posedoj dy vendime:
1. Vendimi i Inspektoratit të Punës, i cili vërteton ankesën time si të Bazuar, dhe
2. Vendimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës – Dega në Skënderaj e cila vërteton se Vendimi i Bordit për shkarkim e Kryeshefit Ekzekutiv ishte i pa drejtë.
Komuna e Skënderajt sot dt; 17.07.2024, përfaqësuar nga avokati i tyre, tashmë ka bërë ankesë ndaj Vendimit të gjykatës themelore. Tani lënda kalon në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Pres nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, që edhe njëherë ta vërtetojë se, vendimi e shkalles se parë qe ka vendosur mbi bazen e fakteve të ofruar në rastin tim.
Të nderuar shokë dhe miq kudo që jen. Ju falënderoj secilin prej jush për mbështetjen që më keni dhënë gjatë kësaj kohe, përulem gjithmonë me respekt për ju që besuat në punën time.
Familja, sado që mirë të njohin, prapë ndihen të shqetësuar. Nuk është e lehtë për askënd, as për mua, që në shumë raste edhe pse duke provuar ta fshehin, sheh fytyrat e tyre tek tregonin mërzi për mua, për mveshjen e “keqpërdoruesit të detyrës zyrtare”.
Sot unë e bëj vetëm një pyetje: Kush është keqpërdoruesi i detyrës tash, unë apo ata?
Urojë rasti si i imi, të jetë rasti i fundit në Kosovë.
Me respekt Arben Veliu.