Albion Bujupi, djali i eprorit të Policisë, Valdet Bujupi ka diplomuar në gjeneratën e re të Policisë së Kosovës. Emri i tij është i njohur edhe me herët për këtë institucion. Jo për të mirë, por, për disa rrahje që ai ishte përfshirë vite më parë. Albion Bujupi është përmendur në rastin ku babai i tij, nënkoloneli Bujupi u suspendua nga puna me rekomandim të IPK’së për keqpërdorim të vazhdueshëm të detyrës zyrtare. Përveç këtij rasti, kadeti i ri i policisë ka qenë i përfshirë në një rrahje dhe therje me thikë në një kafiterti të biliardos në Drenas.
455 kadetë të gjeneratës së 59-të Policisë së Kosovës kanë diplomuar këtë vit në Kosovë. Në mesin e tyre, është edhe Albion Bujupi djali i eprorit të Policisë në Drenas, Valdet Bujupi.
Ndonëse ai në të kaluarën ka qenë i përfshirë më disa rrahje ku emri i tij është lakuar në stacionet policore për probleme dhe rrahje, megjithatë ka arritur që të pastrojë të kaluarën kriminale dhe të diplomoj si kadet i ri i Policisë së Kosovës.
Përfshirja e Albion Bujupit në një rrahje brutale në Drenas
Me 24 nëntor të vitit 2022, Albion Bujupi ishte lënduar rëndë pas një sherri në një kafiteri në Drenas. Rasti ishte raportuar nga Policia e Kosovës. Ai ishte rrahur me një grup të rinjsh, ku dhe kishte marrë trajtim në QKUK pasi ishte therur me thikë.
Sipas njoftimit të policisë, thuhet se mosmarrëveshja mes nëntë të rinjve kishte nisur fillimisht në një kafiteri (bilardo), që eskaloi më pas në rrugë, ku dyshohet se u përdorën edhe mjete të forta.
Rasti kishte ndodhur pas një konflikti verbal, që i shtyri të miturit të dalin nga lokali, duke u rrahur më pas me grushte, ku ishin përdorur thika dhe shkop bejsbolli.
Tre persona ishin lënduar, në mesin e tyre edhe djali i eprorit, kadeti i ri i policisë Albion Bujupi.
“Rruga “Ilaz Kodra”, Gllogoc 24.11.2022 – 23:16. Raportohet se pas një mosmarrëveshje në një biliardo, janë përfshirë në rrahje nëntë të dyshuar meshkuj kosovarë, gjashtë të mitur. Si pasojë e përleshjes tre nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime dhe u është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të të cilit tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 24 orë”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës së vitit 2022.
Insajderi ka pyetur Policinë e Kosovës, nëse ka ndikuar babai i tij për të pastruar të kaluarën e tij, por në përgjigjen e tyre kanë injoruar këtë fakt.
Policia e Kosovës është përgjigjur shkurt duke cekur se të gjithë kadetët iu janë nënshtruar procedurave të parapara për t’u diplomuar si kadetë brenda Policisë së Kosovës.
“Te gjithë personat/kadetet iu kanë nënshtruar të gjitha procedurave të parapara përfshire edhe fazave testuese”, thuhet në përgjigjen e dhënë.
Insajderi ka pyetur edhe Inspektoratin Policorë të Kosovës nëse do të hetojnë këtë rast, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Suspendimi i nënkolonelit, Valdet Bujupi dhe përfshirja e djalit të tij në një incident
Inspektorati Policor i Kosovës në vitin 2021 kishte rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshoheshin për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Në mesin e tre zyrtarët të cilët IPK rekomandoi suspendimin nga detyra ishte edhe nënkolonel Valdet Bujupi, i cili ishte edhe zëvendëskryesuses në Komisionin e Ankesave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.
Përveç keqpërdorimit të detyrës, Bujupi, bashkë me dy kolegë tjerë dyshoheshin se kanë kryer edhe vepra të tjera penale kundër detyrës zyrtare dhe administrimit të drejtësisë.
Gazeta Sinjali kishte raportuar se në këto veprime të ndryshme inkriminuese të nënkolonel Bujupit janë të përfshirë edhe familjarët e tij, konkretisht djali i tij, Adion Bujupi, i cili ishte i mitur në atë kohë, pastaj nipat e tij: Ermir Bujupi dhe Arian Bujupi (dy djemtë e vëllezërve), si dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij.
Nënkolonel Bujupi, rreshter Bajram Selimi dhe polici Shemsi Morina u suspenduan nga detyra nën dyshimin se 13 maj të vitit 2021 nuk kanë raportuar provat dhe faktet për të cilat kanë qenë në dijeni gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në vendin e ngjarjes afër punishtes IP Kos, në fshatin Arllat të Drenasit.