Shkrimtari dhe publicisti nga Qyteti i Skenderajt, Halil Xani nëpërmjetë një statusi në rrjetin social “facebook” ka thënë së kryetari i Skenderajt pati kohë të organizojë pritje (solemne) për tiktokera e bigbradhera, por nuk i ndau 10 minuta për të, shkruan portali rajoni.org.
“Tri herë prita në korridor, te zyra e kryetarit, por sigurimi, herë më thoshte se (atë ditë) nuk punon me palë, herë më thoshte është shumë i zënë. Herën e fundit z. Fadil Nura ia lashë librin, kushtuar Afrim Bunjakut. Ia nënshkrova dhe ia shënova numrin tim të telefonit. Mendova se ma bën një zile dhe më pyet çfarë halli kisha”, ka shkruar Xani në facebook.
Postimi i plotë:
Pse më injoroi kryetari i Skenderajt, z.Fadil Nura?
Kryetari i komunës sime, pati kohë të organizojë pritje (solemne) për tiktokera e bigbradhera, por nuk i ndau 10 minuta për mua.
Mbase për të, unë jam i vogël, por bëj aq sa di e aq sa mundem për vendin tim. Pa kërkuar, (kurrë) ndihmë nga komuna, deri më tash i botova 17 tituj librash të zhanreve të ndryshme. Tre të fundit, për kurbetin, për rreshterin Afrim Bunjaku dhe për Leotrim Ahmetin, i botova me ndihmën e miqve e biznesmenve tanë.
Në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, më thanë se planifikimet për ndihmë në botimin e librave i bëjnë në fillim të vitit. Iu besova dhe u pajtova.
Tri herë prita në korridor, te zyra e kryetarit, por sigurimi, herë më thoshte se (atë ditë) nuk punon me palë, herë më thoshte është shumë i zënë.
Herën e fundit z. Fadil Nura ia lashë librin, kushtuar Afrim Bunjakut. Ia nënshkrova dhe ia shënova numrin tim të telefonit. Mendova se ma bën një zile dhe më pyet çfarë halli kisha.
Kjo nuk ndodhi.
Librin kushtuar Leotrim Ahmetit ma dizajnuan e faqosën në Lenagrafik, në Prishtinë , kurse 200 kopje falas, m‘i shtypi Avdi Koca, pronar i Office Printy, në Fushë Kosovë.
Zotëri kryetar, sikur deri më tash, as në të ardhmen, kurrë nuk të trokas në derën tuaj për punët e mia.
Ju faleminderit!