“Mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj Gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë”.
Kështu ka vlerësuar Instituti i Kosovës për Drejtësi përmes një komunikate të lëshuar për media.
IKD thotë se me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme.
“Për disa të tjera, përveç që i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën, kjo gjykatë urdhëroi Kuvendin e Kosovës që për të njëjtat të nisë ndryshimet ligjore të nevojshme e të domosdoshme në mënyrë që të korrigjohen dispozitat e papërshtatshme brenda një afati prej gjashtë muajve prej se kur Aktgjykimi në rastin numër KO79/23 hyri në fuqi më 1 shkurt 2024”.
IKD tha se ky vendim i GJK-së ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që këta të fundit të kompensohen në mënyrë të drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional.
“Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë i’u përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë përqind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë përqind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës”.
“Megjithatë, përkundër dijenisë së Qeverisë dhe Kuvendit, e për më tepër që një aktgjykim i tillë iu dorëzohet të dy institucioneve dhe publikohet në faqen zyrtare të GJK-së, është shqetësuese dhe e papranueshme që prej kalimit të më shumë së gjashtë muaj e 13 ditë që nga shpallja e këtij aktgjykimi, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GJK-së”.
IKD konsideron se kjo “neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publik”.
IKD i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës se përgjatë shtatë muajve të këtij viti “mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë. Këta punëtorë, të cilët kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve publike, janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Një situatë e tillë, jo vetëm që cenon integritetin dhe sigurinë e sistemit të pagave në sektorin publik, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në aftësinë e tyre për ta zbatuar dhe respektuar ligjin”.
“Mosinicimi deri në ketë moment i këtij ligji ka po ashtu ndikim të thellë dhe të gjerë në jetën sociale dhe ekonomike të shërbyesve civil, pasi që vendosja e kritereve të reja jokushtetuese tek shtesat mbi përvojën, ka renduar jetesën e tyre. Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre”.
IKD tha se kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga GJK, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civil, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor.”