Këngëtarja kroate Severina Vuçkoviq është ndaluar mbrëmjen e së dielës në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
Policia serbe “ka zhvilluar procedurën e zakonshme të marrjes në pyetje, e cila zbatohet për të gjithë personat, deklaratat e të cilëve konsiderohen të dyshimta nga autoritetet shtetërore të Serbisë”.
Pas diskutimeve me autoritetet kompetente, Severinës iu lejua hyrja në Serbi. Megjithatë, këngëtarja vendosi të kthehej në Kroaci me iniciativën e saj, në vend që të vazhdonte rrugëtimin për në Serbi.
Severina është e fundit në serinë e personazheve publike, hyrja e të cilëve në Serbi u pengua ose u ndalua për shkak të veprimeve të ngjashme. Në mesin e të ndaluarve për të hyrë në Serbi është edhe këngëtarja Selma Bajrami, të cilës autoritetet serbe i kishin ndaluar hyrjen në vend për shkak se në një performancë kishte shfaqur simbolin e shqiponjës dykrenare.
Sadik Hasanoviqit, finalistit të garës muzikore “Zvezde Granda”, iu ndalua hyrja në Serbi për shkak të regjistrimeve të tij duke kënduar këngë me përmbajtje nacionaliste. Gjithashtu këngëtares malazeze Jadranka Barjaktareviq para tre vitesh i është ndaluar hyrja në Serbi, pasi gjatë një festë politike në Mal të Zi ka ndryshuar tekstin e këngës dhe në vend të këngës “Askush nuk na bën dot, ne jemi më të fortë se fati” ka kënduar. “Askush nuk mund të na bëjë asgjë, më të fortë jemi nga Serbia”.
Hyrja në Serbi është gjithashtu e ndaluar edhe për aktorin boshnjak Fedja Shtukan, pasi mori pjesë në protestat “Serbia kundër dhunës”.