Dhjetëra mijëra persona e kanë pritur ngrohtësisht në Stamboll sulmuesin nigerian, Victor Osimhen, i cili në orët në vazhdim do të zyrtarizohet nga Galatasaray.
Klubi turk e mori sulmuesin e rrezikshëm në formë huazimi nga Napoli për një vit.
Tifozët ishin në trans pasi futbollisti afrikan është njëri prej më të mëdhenjve që përfundon në Superligën turke, e cila dita-ditës po bëhet më e fortë dhe më interesante.
Osimhen i ka dhënë edhe deklaratat e para për mediat turke, duke i shfaqur emocionet e tij:
“Është një ndjenjë e bukur, atmosfera është e jashtëzakonshme, është njëra prej tifozerive më të mira në botë. Do ta bëj maksimumin për ta, që t’i bëj të gëzohen çdo goli”, deklaroi Osimhen.
“Kam biseduar me Mertens, më vjen mirë që do ta gjej këtu. Është një super-djalosh, mezi pres ta takoj prapë”, shtoi futbollisti i Napolit, i cili në Stamboll do ta përbëjë një sulm të frikshëm me Mertensin dhe Mauro Icardin.
Osimhen e kishte në opsion edhe Arabinë Saudite, por i dështoi ai transferim, njëjtë si ai në Chelsea, dhe kështu në fund përfundoi në Stamboll pasi nuk e kishte ndërmend të qëndronte në “Diego Maradona”.
Ai ishte njëri prej sulmuesve më të mirë në Itali në dy sezonet e fundit.