Dëshmitarja Violetë Pllana, e cila punon në Doganën e Kosovës, ka dëshmuar në gjykimin ndaj Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu, Mustafe Vitija, Mexhid Mustafa, Besnik Ferizi, Arsim Topanica, Faton Topanica, Arben Jashari dhe Hajdar Jashari, të cilët po akuzohen për krimi të organizuar dhe keqpërdorim, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë.
Dëshmitarja Pllana, tha se gjatë periudhës 2006-2007, për të cilin të akuzuarit thuhet se kanë kryer veprat penale, ajo ka punuar në sektorin e hetimit në Doganën e Kosovës. Sipas saj, atë kohë kishin pranuar informatë nga KFOR-i, se një pjesë e cigareve “Duty free” (të liruara nga taksa doganore) të destinuara për KFOR-in po shiteshin në treg të lirë. Informatës i ishin bashkangjitur edhe disa fatura që sipas tyre nuk kishin vulën e KFOR-it, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarja tha se pas kësaj informate, rastin e kishin paraqitur në Prokurori ku edhe me autorizim të gjykatës kishin lëshuar masa të fshehta dhe vëzhgimit.
“Ajo që kemi vërejt prej masave të fshehta është se transporti i këtyre cigareve duke u bazu edhe në datat, në ditën konkrete cigaret janë tërheq nga baza e Sllatinës (baza e KFOR-it) nga vozitësi Lulëzim Gashi, sipas udhëzimeve të Shaip Ferizit. Me një furgon malli ka shku në Milloshive, atë fërgon e ka tërheqë Faton Topanica. Furgoni ka shku në Sfeçël ku kemi bastisur dhe kemi nxënë cigaret e KFOR-it, që kane shkru “duty free”. Se paku në atë kohe kane shkruar ashtu”, ka thënë ajo.
Prokurori special, Afrim Shefkiu pyeti dëshmitaren se në bazë të këtyre masave, kush ishte organizatori, sipas hierarkisë.
Dëshmitarja u shpreh se i akuzuari Shaip Ferizi e kishte organizuar punën brenda dhe jashtë KFOR-it, ndërsa sipas saj Shqipe Avdiu kishte bërë shkarkimin e faturave bashkë me Arben Jasharin i cili kishte vulosur faturat e KFOR-it, me vula të falsifikuar, kinse ky mall është shitu në baza të tjera të KFOR-it, duke mundësuar që këto cigare të dalin në treg të zi. Ndërsa, tha se transportin e kishte kryer Lulzim Gashi.
E pyetur se nga kishin konstatuar se faturat ishin me përmbajte të rreme, dëshmitarja Pllana tha se ketë e kishte konstatuar në bazë të përgjigjes se KFOR-it pasi si Doganë nuk kanë pasur qasje në vulat e tyre, mirëpo KFRO, kishte thënë vula e falsifikuar e dallonte me disa karaktere.
I akuzuari Shaip Feriz, pyeti dëshmitaren se si është e mundur që ato cigare kanë dal jashtë KFOR-it, dhe nëse ka ndodhë kështu, çfarë ka bërë firma në KFOR? Ai shtoi se për secilën shitje KFOR-i ka marrë 10%, me po ato vula që pretendohet që janë fals.
Pllana tha se nuk mund të përgjigjet për punën brenda KFOR-it, por vetëm për shkresat që i ka, e që kjo lidhet edhe me cigaret fizikisht që janë nxënë.
Në anën tjetër, i akuzuari Ferizi pyete edhe se çfarë ka ndodhur me mallin e bllokuar në Aeroportin e Prishtinës. Dëshmitarja u shpreh se ka kaluar kohë e gjatë që atëherë dhe nuk është me në të njëjtin departament, andaj nuk e di se çfarë ka ndodhur.
Veç tjerash, dëshmitarja shpjegoi procedurën që ishte atëkohë për mallin e destinuar për KFOR. Ajo tha se BDF distribution ka sjellë mallin në Doganë, të cilin BDF PX e ka marrë dhe ka ndarë në kampet tjera.
“Malli importohet me certifikate të KFOR-it, me vule të KFOR-it, Dogana e Kosovës i ka nënshkrimet e personelit përgjegjës në lidhje me mallin. Ai mall duhet me shku në bazat e KFOR-it për me u liru nga taksat. Kur ka dal me bazën ushtarake në Sllatine e ka vulos mallin, dhe me atë fature ka shku me kampe tjera”, shpjegoi ajo.
E njëjta tha se nuk i kujtohet nëse ka pasur ndonjë dokument që tregonte se kampet tjetër nuk janë furnizuar me mall, por që dokumente të lëshuara se janë furnizuar ka pasur, por vetëm në letër.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ferizi, avokati Besim Avdyli tha se si Dogana ketë përgjegjësi ia ka bartur punëtoreve përderisa në KFOR ka pasur menaxhment dhe hierarki me të lartë. Për këtë, dëshmitarja tha se nuk ka çfarë të shtoj.
Në lidhje me vlerën e shmangies nga tatimi, Pllana u pyet se si kishte ardhur të vlerësimi prej 1.5 milionë, kur vlera e mallit ka qenë 30 mijë euro. Për këtë tha se, 1.5 milionëshi ka dal nga faturat tjera të dorëzuara nga KFOR, sepse si Doganë ajo tha se kanë nxënë vetëm një rast fizikisht.
Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, njoftoi se është ndryshuar njëri anëtar i trupit gjykues Mentor Bajaraktari i cili ka avancuar në Apel, dhe tash në vend të tij është Kushtrim Shyti, ndërsa anëtari tjetër është Valon Kurtaj.
Ndryshe më 11 mars 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte dënuar me burgim me kusht nëntë të akuzuarit për krim të organizuar: Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton dhe Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin.
Mirëpo, ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar ankesë mbrojtësit e të akuzuarve me c’rast me 18 dhjetor 2019 kjo gjykatë ka aprovuar ankesat e tyre si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2008, nëntë të akuzuarit që nga 8 shtatori 2006 e deri më 9 tetor 2007, kishin kryer krim të rëndë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, duke e pasur secili rolin e tyre të ndarë në veprimtari kriminale.
Në aktakuzë thuhet se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të një dobie pasurore apo financiare të kundërligjshme, gjatë importimit të cigareve si kontraktues të KFOR-it dhe në emër të KFOR-it kishin keqpërdorur detyrat zyrtare.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kanë shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke shkaktuar evazion fiskal ndaj buxhetit të konsoliduar të Kosovës në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Prokuroria të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari, i ngarkonte me veprat penale “Krim i organizuar”, lidhur me veprën penale “Shpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe me veprën penale “Shmangie mashtruese nga pagesat e detyrimeve”.
Ndërsa, të pandehurit Mustafë Vitia, Mexhid Mustafa, Lulzim Gashi, Besnik Ferizi, Faton Topanica, Arsim Topanica dhe Ajdar Jashari, i ngarkonte me veprën penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Shmangie nga pagesat e detyrimeve”.