Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se shpreson që prokurori i çështjes së aktakuzës kundër 45 persona të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë t’i ndërmarrë veprimet në përputhje me ligjin.
Bajraktari këtë e ka deklaruar përmes një postimi në ‘Facebook’, teksa shtoi se prokurori i rastit po ballafaqohet me sulme në opinion nga faktorë politikë.
“Aktakuza u ngritë brenda një afati optimal, për faktin se ky është pa dyshim njëri nga rastet më komplekse, për çka ligji, për raste të tilla ka paraparë që hetimet mund të zgjasin deri në tri vite, pra, një punë që mund të kryhet për tri vite, të kryhet brenda më pak se një viti, është për t’u duartrokitur”, tha Bajraktari.
“Shpresoj se Prokurori i çështjes, ndonëse i ballafaquar me sulme dhe etiketime në opinion, mbi baza të rregullta nga faktorë edhe politikë, t’i ketë ndërmarrë veprimet e duhura të parapara me ligj, përfshirë përpjekjet e arsyeshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë sikurse parashihet me nenin 303, paragrafi 8, të Kodit të Procedurës Penale”, shtoi tutje ai.
“Drejtësia bazohet në prova dhe fakte, ajo duhet të vendosët ku e ka vendin, të tjerët nëse nuk mund ta ndihmojnë, se paku të mos e pengojnë atë”.