E mërkurë, 2 Tetor, 2024

Me përgjigjet e tij, viktima e tentim vrasjes e befason trupin gjykues

Në gjykimin e Mërgim Zeqirit, i cili nga Prokuroria akuzohet se ka tentuar ta vrasë Naim Osmanin, duke shtënë tri herë në drejtim të tij, në seancën e datës 01.10.2024 ka vazhduar dëshminë e tij i dëmtuari – Naim Osmani.

Ngjarja për të cilën po gjykohet Mërgim Zeqiri ka ndodhur në tetor të vitit 2008.

Sipas Prokurorisë, më 06.10.2008 nga motive të hakmarrjes me dashje që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Naim Osmani, i pandehuri Mërgim Zeqiri posa e vërën se ka hyrë në lokal ngrihet nga tavolina ku ishte ulur dhe shtie tri herë në drejtim të Naim Osmanit, me ç‘rast e qëllon një herë në dorën e majtë dhe dy herë në këmbën e djathtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Dulina Hamiti, dëshmitari rrëfeu se në ditën kritike kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë duke hyrë në lokalin – bastore dhe në momentin kur kishte hyrë ishte plagosur. Ai deklaroi se atë e kishte plagosur Agron Zeqiri për të cilin tha se ka vdekur që dy vite.

“Agron Zeqirin e kam njohur shumë mirë, i njëjti më ka plagosur” – tha dëshmitari Naim Osmani.

“Kur jam plagosur unë e kam kthy kokën mbrapa, e kam pa Agron Zeqirin duke dalë prej derës i cili e ka pasë armën në dorë dhe i njëjti më ka plagosur për faktin se tjetërkush përveç tij nuk ka qenë aty”  – shtoi tutje dëshmitari Naim Osmani.

Nga përgjigjja e tij u befasua kryetari i trupit gjykues, Gëzim Ademi, i cili e pyeti të dëmtuarin në rast se është duke folur për ngjarjen 6 tetorit të vitit 2008, por përgjigjja e të dëmtuarit Osmani ishte kjo: “Unë vetëm një herë jam plagosur, tjetër ngjarje nuk di që ka ndodhur”.

“Unë e njoh Mërgim Zeqirin dhe ditën kritike nuk më ka plagosur Mërgim Zeqiri, unë me Mërgimin jemi rritur me një mahallë dhe e njoh ma shumë se 30 vjet dhe nuk është ky personi që më ka plagosur por vëllai i tij, Agron Zeqiri” – tha dëshmitari Naim Osmani.

Në momentin kur prokurorja Hamiti e pyeti se a qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici, dëshmitari Naim Osmani tha se ai asnjëherë nuk kishte dhënë deklaratë në Polici.

Edhe pse dëshmitari tha se nuk kishte dhënë deklaratë në Polici prokurorja ia prezantoi deklaratën e dhënë në Polici, ku ai kishte thënë se ishte goditur me armë nga Mërgim Zeqiri ndërsa pas ballafaqimit të prokurores me këtë deklaratë ai tha se nuk është e vërtetë që Mërgimi e ka goditur por vëllai i tij, Agron Zeqiri.

“E vërteta është kjo çka po them në shqyrtim gjyqësor sepse është hera e parë që unë po jap deklaratë në shqyrtim gjyqësor” – tha dëshmitari Osmani tutje.

Ndërsa në fund të dëshmisë rrëfeu se me Agron Zeqirin kishte pasur problem por nuk kishte qenë një problem i madh por kishte qenë një mosmarrëveshje ndërsa momentin kur ishte plagosur kishte shkuar vetë në spital, kishte hipur në veturë dhe kishte shkuar në spital.

Në fund të seancës i dëmtuari Naim Osmani kërkoi nga Gjykata mos ta ftojë në seancat e radhës pasi nuk dëshiron që të marrë pjesë në këtë çështje pasi që nuk ndihet i dëmtuar nga i pandehuri Mërgim Zeqiri dhe nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gëzim Ademi – kryetar dhe dy anëtarët, Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja Dulina Hamiti.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur më këtë çështje penale pritet që të mbahet gjatë këtij muaji.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mërgim Zeqiri më 06.10.2008, rreth orës 17:15, në lokalin bastore sportive “Eurolloto”, që gjendej në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë, i pandehuri nga motive të hakmarrjes me dashje që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Naim Osmani posa e vërën se ka hyrë në lokal, ngrihet nga tavolina ku ishte ulur dhe shtie tri herë në drejtim të tij, me ç‘rast e qëllon një herë në dorën e majtë dhe dy herë në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, e pastaj i pandehuri është larguar nga vendi  i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Mërgim Zeqiri akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Në dispozitivin II të aktakuzës përshkruhet se nga koha e pasluftës e deri më 06.10.2008, e ka mbajtur pa autorizim armën e tipit të panjohur të kalibrit 7.65mmx17mm.

Me këtë i pandehuri Mërgim Zeqiri ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Tutje sipas aktakuzës, më 04.03.2010, derisa zyrtarët policorë kanë shkuar që të zbatojnë urdhrin për arrestim, i cili urdhër ka të bëjë me rastin e përshkruar më lart, me të vërejtur se i pandehuri Mërgim Zeqiri është duke hyrë në veturën e tij të tipit “Fiat”, me ç’rast policia në rroba civile i janë afruar veturës së tij duke i thënë: “Ndal, Policia!”, duke ia prezantuar kartelën e identifikimit, në ato momente i pandehuri e kishte ndezur veturën e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ai kishte bërë lëvizje në drejtim te policëve në anën e majtë me qëllim që të privojë nga jeta dhe pastaj kishte vazhduar me veturë përpara, pasi që kishte pasur rrugën e bllokuar me një veturë tjetër të Policisë, pastaj kishte lëvizur me veturën e tij prapa me një shpejtësi shumë të madhe dhe në momentin kur policët ishin duke shkuar në drejtim të tij kishte detyruar policët që të largoheshin në skaj të trotuarit në mënyrë që t’i i shmangeshin goditjes nga vetura e më pas i pandehuri Zeqiri kishte dalë shpejt nga vetura dhe kishte filluar të ikë oborreve të shtëpive, ku më pas Policia kishte arritur që të arrestojë të pandehurin i cili kishte qenë mjaft agresiv dhe kishte fyer, sharë e kërcënuar policët me fjalë: “Kam me ju vra sa të dal”.

Më këtë i pandehuri ka kryer veprën penale – vrasje në tentativë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer