E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Diaspora i dërgon letër kancelarit gjerman Scholz, kanë një kërkesë për të

Organizata e Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg i është drejtuar kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, me një kërkesë për heqjen e shtetësisë serbe për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.

Akademikët konsiderojnë se kjo praktikë vazhdon të aplikohet edhe pas ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Në kërkesën e tyre, ata theksojnë rëndësinë e ndryshimit të ligjit të shtetësisë gjermane dhe udhëzimeve të ardhshme, duke kërkuar që shtetësia serbe të shfuqizohet për kosovarët dhe shqiptarët etnikë që jetojnë në Gjermani.

“Është e papranueshme që qytetarët kosovarë të vazhdojnë të regjistrohen me shtetësi serbe, përkundër faktit që Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008. Kjo situatë krijon ndasi të padrejta në trajtimin e qytetarëve”, thuhet mes tjerash në letër.

Në fund, organizata ka kërkuar që kjo praktikë të përfundojë dhe të fshihet automatikisht shtetësia serbe për të gjithë kosovarët, duke përfshirë edhe fëmijët e lindur në Gjermani, të cilët nuk duhet ta trashëgojnë këtë shtetësi.

Me një komunitet prej 565,000 shqiptarësh të mirë integruar në Gjermani, organizata shprehet e gatshme për një takim me përfaqësuesit qeveritarë për të diskutuar më tej këtë çështje të ndjeshme.

Njoftimi i plotë:

I nderuar Zoti Kancelar Olaf Scholz,

i nderuar Dërguar Special i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor, Zoti Manuel Sarrazin,

Në kuadër të aktivitetit tonë si kryetarë të Organizatës së Akademikëve Gjermano-Shqiptarë me seli në Hamburg, Organizatës së Akademikeve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare e.V. në Berlin dhe të Studentëve dhe Akademikëve Shqiptarë e.V. në Stuttgart, si nismëtarë dhe si përfaqësues të organizatave të tjera me prejardhje shqiptare në Republikën Federale të Gjermanisë, ju shkruajmë sot lidhur me një çështje të rëndësishme për komunitetin tonë me lutjen për shqyrtim dhe zgjidhje sa më të shpejtë.

Bëhet fjalë për praktikën e vazhdimit të shtetësisë serbe për shtetasit kosovarë në Republikën Federale të Gjermanisë pas ndërhyrjes së NATO-s në Luftën e Kosovës 1998-1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008.

Ne, si aktorë të shoqërisë civile dhe shtetas gjermano-kosovarë të prekur nga kjo çështje, kërkojmë që në kuadër të modernizimit të ligjit të shtetësisë dhe udhëzimeve zbatuese të ardhshme për administratat e landeve të ndryshme, të ndryshohet kjo praktikë dhe të shfuqizohet ose të fshihet shtetësia serbe për shtetasit shqiptarë etnikë dhe shtetasit gjermanë me rrënjë në Kosovë.

Na lejoni një përshkrim të shkurtër të problemit: Republika Federale e Gjermanisë e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës në shkurt të vitit 2008 si një nga vendet e para të botës pas një lufte shkatërruese me mbi 14.000 të vdekur, 20.000 gra të dhunuara, mbi 1617 njerëz të zhdukur që ende mungojnë dhe mbi një milion refugjatë në vendet fqinje. Me njohjen juridike u pranuan gjithashtu edhe dokumentet administrative të Republikës së Kosovës dhe legjislacioni i saj. Populli i Republikës së Kosovës, me pavarësinë pas përfundimit të luftës dhe sakrificave të tij të mëdha, u shkëput nga shtypësi i mëparshëm. Me këtë u refuzua dhe nuk pranohet më autoriteti administrativ i shtypësit. Për ne si shtetas gjermanë me shtetësi kosovare është e papranueshme që Republika Federale e Gjermanisë të vazhdojë të na regjistrojë dhe dokumentojë me shtetësi serbe! Prandaj kërkojmë përfundimin e kësaj procedure për të gjithë shtetasit kosovarë në Republikën Federale të Gjermanisë dhe njohjen e vetëm shtetësisë kosovare si e vetmja shtetësi legjitime.

Parimet e trashëgimisë dhe vazhdimësisë, si dhe statusi juridik ndërkombëtar që deri tani është aplikuar, nuk duhet të luajnë më një rol për administratën gjermane. Përmes procedurës aktuale ligjore dhe menaxhimit të çështjes, e cila për ne nuk është e qartë, po praktikohet një klasifikim i shtetësisë gjermane në qytetarë të klasit të parë dhe të dytë. Diskriminimi dhe disavantazhi i shumëfishtë burokratik që rezulton nga kjo, si dhe rreziqet që për ne paraqet ky akt juridik pa pëlqimin tonë, janë të papranueshme dhe sugjerojnë, nëse jo qëllim, atëherë të paktën një neglizhencë të qëllimshme nga ana e shtetit gjerman.

Fshirja e shtetësisë serbe kushton deri në 5000 euro dhe mund të realizohet vetëm me përpjekje të mëdha diskriminuese. Nuk është vetëm e papranueshme të kërkohet ky hap, por përbën një rrezik të madh për çdo shtetas kosovar që detyrohet të përballet me ish-shtypësin dhe shtetin e tij. Përmes vizitës në Serbi ose në përfaqësitë e saj diplomatike, ku përfaqësuesit e shtetit, të cilët janë përgjegjës për krimet e luftës, mund të përballen me viktimat, për të humbur shtetësinë, vendoset në rrezik jeta e njerëzve.

Në kuadër të modernizimit të ligjit të shtetësisë, kërkojmë që:

Për të gjithë shtetasit kosovarë të fshihet shtetësia serbe.

Në të gjitha regjistrat në Republikën Federale të fshihet shtetësia serbe për shqiptarët etnikë nga Kosova.

Me njohjen e plotë të garantohen trajtim i barabartë dhe siguri për të gjithë shtetasit kosovarë me përkatësi etnike shqiptare në zonat serbe, si dhe të garantohen të drejtat e barabarta për ta, si për çdo shtetas tjetër gjerman.

Fëmijët e lindur në Gjermani të mos trashëgojnë automatikisht këtë “trashëgimi të rëndë” të prindërve dhe të lirohen automatikisht nga shtetësia serbe.

565.000 shtetas kosovarë me prejardhje shqiptare janë shumë mirë të integruar në Gjermani dhe identifikohen shumë fort me Republikën Federale të Gjermanisë. Kontributi i tyre në kulturë, sport, ekonomi, shkencë dhe në fushën sociale është i pazëvendësueshëm. Edhe si qytetarë dhe votues, ata po fitojnë një ndikim gjithnjë e më të madh përmes kontributit të tyre në politikë dhe shoqëri civile.

Ne do të ishim mirënjohës për një përgjigje dhe zgjidhje të shpejtë dhe gjithashtu ofrojmë një takim personal në Berlin për të diskutuar këtë çështje më nga afër. Deri atëherë, mbetemi me respekt.

Me respekt,

Muhamet Idrizi

Agon Kamberi

Rainold Maçi

ODA e.V. OASA e.V. ASAS e.V.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer