E mërkurë, 30 Tetor, 2024

Qeveria s’respektoi ligjin, emëroi Dugollin sekretar të Ministrisë së Mbrojtjes pa përfunduar afati i ankesave

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka konfirmuar se ia kishte tërhequr vërejtjen Ministrisë së Mbrojtjes se Gafurr Dugolli u emërua nga Qeveria si Sekretar pa përfunduar afati i ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Për këtë, ministri Maqedonci i kishte kërkuar Qeverisë ta rivendos në rend dite tani shkarkimin e Dugollit, por këtë nuk e kishte bërë fare ekzekutivi duke pritur deri të përfundojë afati i ankesave.

Propozimi i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që Gafurr Dugolli të emërohet sekretar në dikasterin e tij mori dritën e gjelbër nga të gjithë ministrat, në mbledhjen e 220 të Qeverisë.

Nëntë ditë më vonë, më datën 20 shtator, ishte vetë ministri Maqedonci, i cili i kërkoi Qeverisë që Dugolli të shkarkohej pasi vendimi për emërimin e tij qe i jashtëligjshëm. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Kjo pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës i kishte dërguar shkresë Ministrisë duke i sqaruar se kjo binte ndesh me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, sepse vendimi në Qeveri ishte marr sa ishte ende duke rrjedh afati për ankesat.

Kjo është konfirmuar për RTV Dukagjinin edhe nga organi që pranoi ankesat.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në procedurë të pranimit për pozitën Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, ka pranuar dy ankesa nga kandidatët në procedurë, të dyja të datës 14.08.2024, dhe gjatë fazës së shqyrtimit të ankesave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë emërimin e z. Gafurr Dugolli në këtë pozitë edhe pse procesi i ankesave nuk kishte përfunduar. Lidhur me këtë emërim, më datë 18.09.2024, kemi njoftuar ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, se meqë kemi pasur ankesën ende në fazë të shqyrtimit veprimet e ndërmarra kanë qenë në kundërshtim me frymën e Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 130 paragrafi 1 dhe neni 144 paragrafi 1, ndërlidhur me paragrafin 10 të nenit 47 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ministri menjëherë kishte vepruar duke i dërguar Qeverisë një kërkesë që ta anulonte vendimin.

“Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 19.09.2024, ka njoftuar se ndër të tjera se me qëllim të rivendosjes së ligjshmërisë do të propozoj në Qeveri anulimin e vendimit me të cilin është bërë përzgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, mirëpo nuk kemi pasur ndonjë informatë apo komunikim tjetër deri tani. Më pastaj Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, më datë 23.09.2024 përmes Vendimit A.nr.1127/2024, ka vendosur për ankesat e ankuesve duke i hedhur poshtë si të pasafatshme, ngase të njëjtat janë parashtruar në kundërshtim me afatet e parashikuara me Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, dhe dispozitat e nenit 47 paragrafit 10 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik”, thuhet më tej në përgjigjen e KPMSHCK.

Por, gjithçka ka përfunduar këtu sepse Qeveria lëre që nuk e kishte aprovuar kërkesën e ministrit Maqedonci por as nuk e kishte vendosur për shqyrtim në ndonjë mbledhje duke pritur kështu derisa ka përfunduar afati krejtësisht e duke paragjykuar edhe rezultatin e ankesave që ishin drejtuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

“Kërkesa për anulim të vendimit në fjalë të Qeverisë është bërë nga Ministri në qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Kjo për faktin që KPMSHCK përmes një njoftimi kishte bërë të ditur që nuk kishte përfunduar trajtimi i ankesës lidhur me konkursin për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm. Qeveria ka qenë gati ta trajtojë atë në një mbledhje të rregullt. Megjithatë, marrë parasysh që vendimi i KPMSHCK-së i cili është ligjërisht i obligueshëm kishte gjetur që ankesa ishte e pabazuar dhe që konkursi për përzgjedhje të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ishte zhvilluar e përfunduar në harmoni me ligjin, nga i cili proces z. Gafurr Dugolli kishte dalë kandidati më i suksesshëm, votimi i propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes është bërë i panevojshëm. Trajtimi i një propozimi të tillë do shpiente në paligjshmëri, andaj edhe nuk është trajtuar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Gafurr Dugolli është vëllai i deputetit të partisë në pushtet, Enver Dugollit.

E, kjo sipas njërit ankues në këtë konkurs, emër i njohur për redaksinë, pati efektin e vet në rekrutimin e kandidatëve.

“Deri më 18 prill ishte afati për kandidim. Diku në maj, jemi fut në testim normalisht e para tij, janë bërë parregullsitë më të mëdha sepse rekrutimi nuk është bërë në formë të duhur. Për të qenë pjesë e konkurrimit në pozita drejtuese, duhet të jesh së paku tetë vite në drejtime menaxhuese, respektivisht të nivelit të lartë. Nëse je me bachelor/master duhet 5 vite, nëse je me doktorat duhet tre vite. Aty realisht u bë padrejtësia më e madhe. Gafurri nuk ka qenë asnjëherë në pozita drejtuese. Ua shkrova edhe aty. Ka qenë instruktor, vartës i imi gjatë kohës së TMK-së, nuk ka pozitë drejtuese. Në FSK ka qenë shef protokolli që s’është pozitë drejtuese. Kjo na bën të ndihemi keq, sepse po barazohen njerëzit në konkurs pa merita. Kjo është pasojë politike, sepse po nisemi në parimin se është vëllai i deputetit Enver Dugolli. Ai ka qenë pjesë e FSK-së dhe i ka keqpërdorur gjanat jashtëzakonisht shumë, të gjitha të mundshmet i ka bërë. Doli në VV dhe është pjesë e komisionit për siguri, dështim. Gafurri ka qenë edhe u.d. i sekretarit dikur. Kjo mendoj se ka ndikuar, jam tejet i bindur, në burimet njerëzore brenda Ministrisë, për ta marrë testimin të gatshëm”, ka thënë ankuesi për Dukagjinin.

Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative lidhur me çështjen e mbështet edhe Ligji për zyrtarët publik në nenin 49 ku thuhet se kandidati fitues i propozuar, zgjidhet brenda një periudhe prej tridhjetë ditësh nga shpallja e fituesve.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer