Askush nuk dyshon se Lamine Yamal është në rrugën e duhur për të bërë histori. Tani e panjohura është se sa larg mund të shkojë lojtari shumë i ri i Barçës.
Sot ai mbush 17 vjeç, 3 muaj e 22 ditë ose thënë ndryshe fiks mosha Leo Messi kur debutoi në një ndeshje zyrtare me Barcelonën.
Dhe, një rastësi tjetër: argjentinasi debutoi në stadiumin olimpik Montjuïc, i njëjti stadium ku u luajt dje derbi katalanas.
Ishte data 16 tetor 2004, Rijkaard vendosi të aktivizonte për herë të parë Messin në vend të Decos. Pikërisht në atë ndeshje argjentinasi nisi të shkruante eopkën e tij fenomenale te Barça.
Por në të njëjtën moshë me Messin në momentin e debutimit, Lamine Yamal është tashmë një institucion në futbollin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Këtë sezon ai ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 8 asistime mes dy garave dhe është një nga armët kryesore sulmuese të katalanasve. Në fakt, ai po thyen rekordet e tij nga sezoni i kaluar kur në 50 ndeshje shënoi 7 gola dhe 9 asistime.
Historia e Lamine Yamal filloi në 19 prill 2023 me Xavin. Në moshën 15 vjeç, 9 muaj e 16 ditë, ai u bë lojtari më i ri i Barçës në shekullin e 21-të që luajti në një ndeshje zyrtare, duke ia kaluar Ansu Fatit. Dhe që atëherë nuk ka reshtur së rrituri. Ai po thyen të gjitha rekordet që ekzistojnë.
Sulmuesi anësor ishte gjithashtu më i riu që mori pjesë në Champions League, asistuesi dhe golashënuesi më i ri në La Liga.
Por historia e tij nuk është shkruar vetëm në Barcelonë. Përveçse ka fituar titullin e La Ligës, pasi ka marrë pjesë në një ndeshje 22-23, ai është kampion evropian me kombëtaren dhe ka lënë emrin në këtë kompeticion.