E martë, 26 Nëntor, 2024

Lojtari nga Novi-Pazari la Serbinë dhe iu bashkua Bosnjë-Hercegovinës

Samed Bazhdar i ka katër gola e tri asistime në 13 paraqitje në La Liga 2 me Real Zaragozan. 20-vjeçari është nga Novi-Pazari dhe tani e tutje do të luajë për Bosnjë-Hercegovinën.

Në fakt, Bazhdar ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Serbisë. Ka debutuar edhe në përfaqësuesen A, në miqësoren ndaj Qipros më 25 mars të këtij viti. Pasi nuk ka luajtur për Serbinë në ndeshje kualifikuese, e kishte të drejtën të ndryshojë përfaqësuesen. Dhe ka vendosur për Bosnjë-Hercegovinën.

Te të rinjtë e Serbisë ishte edhe kapiten. Për Bazhdarin të hënën në konferencë për shtyp është pyetur selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq.

“Ai ka debutuar te Serbia edhe kur nuk po luante si startues te Partizani, pasi ka potencial dhe talent. Ky është një vendim i tij profesional dhe këtu nuk dua të përzihem apo të komentoj, ndërsa i dëshiroj shumë fat”, ka thënë Stojkoviq.

Samed Bazhdar është rritur në shkollën e futbollit të Partizanit të Beogradit. Për ekipin e parë të këtij klubi luajti 74 ndeshje. I realizoi 12 gola dhe i kishte katër asistime. Në verë është transferuar te Zaragoza për 1,5 milionë euro.

Te Bosnjë-Hercegovina presin shumë nga Samed Bazhdari.

“E kemi përcjellë. E dimë rrugën e tij, ndonëse i ka vetëm 20 vjet. Një ngritje e mirë e tij, vendim i guximshëm për të shkuar në ligën e dytë, të nënshkruajë për pesë vjet dhe të nisë periudhë të re në jetën e tij. Ky djalosh jo vetëm në aspektin e futbollit, por edhe për shkak të karakterit meriton vëmendje. Shpresoj që dokumentacioni do të jetë në rregull dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Gjermanisë”, ka thënë selektori i Bosnjë-Hercegovinës, Sergej Barbarez.

Në muajin maj, Bazhdari kishte theksuar se mendon vetëm për Serbinë. Drejtori i përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës, Emir Spahiq, që ka bindur sulmuesin për ta ndërruar përfaqësuesen, ka thënë se ajo deklaratë është përgjegjësi e tij.

“Me shumë kënaqësi njoftojmë opinionin që lojtari i ri dhe shumë i talentuar, Samed Bazhdar, është pjesë e ekipit tonë nacional. Samedi, që nga momenti i parë kur u shfaq interesimi nga ana jonë, me vendosmëri shfaqi dëshirën që të luajë për Bosnjë-Hercegovinën. Përkushtimi dhe dëshira e tij për të mbrojtur ngjyrat e vendit tonë ishte e pamohueshme që nga fillimi. Informata për deklaratën nga maji i këtij viti, e cila sugjeronte që e ardhmja e Samedit është e lidhur me një vend tjetër, ishte mënyra e vetme për të siguruar qetësinë dhe kohën e nevojshme që i gjithë procesi për të siguruar të drejtën e paraqitjes për Bosnjë-Hercegovinën të përfundojë me sukses. Mënyra se si kemi udhëhequr këtë proces është vendim i imi dhe përgjegjësi e imja e plotë. Kam konsideruar të domosdoshme që dëshira e tij të mbetet e fshehtë për opinionin që në qetësi dhe pa ndërhyrje të jashtme të kompletojmë të gjitha dokumentet dhe të garantojmë kalimin e tij në përfaqësuesen tonë”, ka thënë Spahiq ditë më parë.

Ai i kërkoi falje familjes së futbollistit, që sipas Spahiqit, ka duruar fyerje të shumta, sidomos nga një pjesë e opinionit në Bosnjë-Hercegovinë.

Vetë futbollisti ka theksuar se vendimin për të kaluar te Bosnjë-Hercegovina e mori pasi mendoi gjatë dhe bisedoi me familjen.

“Asnjëherë nuk i jam frikësuar konkurrencës, kështu jam edukuar që kur isha i vogël. Vendimi im është i motivit vetëm sportiv. Njerëzit nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës më kanë kontaktuar, më paraqitën planin dhe ishin shumë korrektë dhe të durueshëm që vetë ta marr vendimin, pa presion”, ka thënë Bazhdar. Ai ka theksuar se një pjesë e familjes së tij ka prejardhje nga Bosnjë-Hercegovina.

Kalimi nga një përfaqësuese në tjetrën tashmë është e zakonshme në futbollin ndërkombëtar. Për shembull, turku Umit Akdag luan për U21 të Rumanisë dhe së shpejti mund të debutojë për përfaqësuesen A të këtij vendi. 21-vjeçari është pjesë e skuadrës franceze Toulouse. Akdag ka shtetësi turke dhe rumune. Me Rumaninë do të paraqitet në Evropianin U21 vitin e ardhshëm e më pas do të vendosë se cilin vend do ta përfaqësojë te të rriturit.

“Akdag nuk e këndon himnin, por qëndron me dorë në zemër gjatë himnit. Nuk e di nëse do ta shohim në përfaqësuesen A. Ai po e shijon periudhën te Rumania U21. Është shumë i lumtur, ka dashur shumë të shkojë në Evropian. Ai do të jetë në Evropian me ne. Më pas do të vendosë. Nuk e di nëse është opsion për Turqinë, por selektori ynë është shumë i interesuar për të”, ka thënë Daniel Pancu, selektor i U21 të Rumanisë.Akdag është i lindur në Bukuresht, por dy prindërit i ka turq.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer