E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Si e ndihmoi TikTok-u kandidatin e ekstremit të djathtë ta fitojë rundin e parë të zgjedhjeve në Rumani

Edhe pas numërimit të të gjitha votave, ekspertët ende nuk po mund t’i bien në fije se si Calin Georgescu arriti të shënojë fitore të papritur në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani.

Georgescu, një figurë shumë pak e njohur e ekstremit të djathtë, i la gojëhapur ekspertët dhe sondazhet duke fituar më 24 nëntor. Ai i mposhti favoritët, përfshirë kryeministrin majtist, Marcel Ciolacu nga Partia e Socialdemokratëve, e cila ka mbizotëruar në Rumani me dekada.

Meritat kryesore për suksesin e Georgescut i ka fushata e tij në rrjetet sociale, gjë që me sa duket nuk u vërejt nga shumë analistë. Derisa ishte i pranishëm në Facebook dhe YouTube, ai bëri fushatë të shkathët në TikTok, ku mori mbështetje të madhe dhe u lidh me miliona të rinj.

TikTok, i cili u lansua më 2017, tani është ndër uebsajtet më të njohura në internet, duke e kaluar edhe Google-in më 2021. Miliona njerëz janë joshur nga videot e shkurtra të këtij aplikacioni, algoritmet e të cilit e personalizojnë përmbajtjen për secilin përdorues.

Synim, votuesit e rinj

Derisa shumica shkojnë në TikTok për t’u argëtuar, shumë njerëz, posacërisht brezat e rinj, i marrin edhe lajmet atje.

Në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e përdoruesve të TikTok-ut nën moshën 30-vjeçare thonë se e përdorin këtë aplikacion për t’u njoftuar me lajmet dhe politikat, sipas Qendrës Hulumtuese Peë.

Ashtu si në vendet e tjera, edhe në Rumani popullariteti i TikTok-ut ka shpërthyer. Në shkurt të vitit 2019, në Rumani ishin vetëm 175.000 përdorues të TikTok-ut të moshës 14 deri në 65-vjeçare. Deri në fillim të vitit 2024, kjo shifër është rritur në hiç më pak se 8.97 milionë përdorues.

Shumë nga kandidatët kryesorë presidencialë rumunë kanë llogari në TikTok, duke përfshirë Ciolacun dhe liberalen properëndimore, Elena Lasconi, kandidatja me të cilën Georgescu do të përballet në balotazhin presidencial të 8 dhjetorit.

Por, duket se vetëm Georgescu arriti ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e platformës së mediave sociale, e cila është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.

Shumë nga votuesit e Georgescut ishin të rinj. Në një postim në Facebook, sociologu Remus Stefureac tha se të dhënat e votimit tregojnë se “31 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24-vjeçare votuan për Georgescun, ndërsa vetëm 8 për qind të votuesve ishin mbi moshën 65-vjeçare”.

Stefureac shtoi gjithashtu se votuesit deri në moshën 44-vjeçare kanë më shumë gjasa të votojnë për Georgescu, krahasuar me votuesit mbi moshën 45-vjeçare, në balotazh.

Georgescu shfrytëzoi zemërimin e votuesve me inflacionin dhe korrupsionin në vend, duke i fajësuar BE-në dhe NATO-n për pjesën më të madhe të problemeve të vendit dhe duke pretenduar se “sovraniteti” i Rumanisë po cenohej.

Ai gjithashtu i lavdëroi Ion Antonescun, liderin de fakto të Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili u dënua me vdekje për rolin e tij në Holokaustin e Rumanisë, dhe Corneliu Zelea Codreanun, liderin para Luftës së Dytë Botërore të Gardës së Hekurt – e cila ishte ndër lëvizjet më të dhunshme antisemitike në Evropë.

Gjatë fushatës së tij, ai e kritikoi vazhdimisht anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, si dhe mbështetjen e saj për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Në një intervistë televizive disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të 24 nëntorit, Georgescu bëri thirrje për ndërprerjen e përkrahjes për Ukrainën.

Recetë për sukses në TikTok

Një nga videot e tij më të njohura në TikTok është ajo me pretendime të rrejshme se fëmijët refugjatë ukrainas po merrnin më shumë ndihmë nga Qeveria sesa fëmijët rumunë.

“A e dini sa është ndihma për një fëmijë në Ukrainë? Çfarë i ofron atij Rumania, shteti rumun? Do t’ju them unë: 3.700 lei (780 dollarë), dhe për një fëmijë rumun, e njëjta ndihmë është 248 lei, për të njëjtën moshë”, tha Georgescu në një video të postuar më 5 nëntor në TikTok, e cila më vonë u vërtetua se ishte e rrejshme.

Pavarësisht pretendimeve të rrejshme, videoja në TikTok, një pjesë e shkëputur nga një intervistë e gjatë e Georgescut në televizionin shtetëror, bëri bujë, pasi mori 5.1 milionë shikime dhe më shumë se 213.000 pëlqime.

Më shumë se çdo kundërshtar i tij, Georgescu mbështetej tek TikTok-u për ta shpërndarë mesazhin e tij, tha Dragos Stanca, ekspert i mediave në Rumani.

“Calin Georgescu është ideal për mediat digjitale, sidomos për TikTok-un. Shite një ëndërr, shite një vizion”, tha Stanca në një intervistë për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë (REL).

“Mediet sociale nuk u krijuan për të na informuar, por për të na shndërruar në blerës…. Dhe objekt në shitje mund të jetë edhe idetë. Dhe, Georgescu shet ide që tërheqin në mediat sociale”, shtoi Stanca.

E hapur në vjeshtën e vitit 2022, llogaria e Georgescut në TikTok tani ka 260.000 ndjekës dhe 3.6 milionë pëlqime.

Një nga strategjitë e tij më të suksesshme ishte shkëputja e videove të shkurta nga intervistat që i kishte dhënë diku tjetër, shpesh në televizione, dhe postimi i tyre në TikTok.

Një intervistë në Digi24 më 13 nëntor i kishte vetëm mbi 70.000 shikime në faqen e internetit të kanalit të lajmeve televizive, por një video e shkëputur nga i njëjti emision dhe e postuar nga Georgescu në TikTok arriti 4.1 milionë shikime.

“Unë po garoj për Rumaninë, jo për Ukrainën. As mbështetësit e mi dhe as populli rumun nuk janë të interesuar as për Putinin e as për Ukrainën. Ata janë të interesuar për Rumaninë. Ta ndërtojmë atë mirë, të ketë mirëqenie, të jemi të lumtur, të ketë stabilitet, të ketë siguri”, tha Georgescu në një video në TikTok, e cila i mori 241.000 pëlqime, u shpërnda 14.000 herë dhe mori gati 8.000 komente.

Një tjetër video në TikTok nga e njëjta intervistë televizive paraqet Georgescun duke shmangur një pyetje mbi opinionin e tij për Putinin.

“E shoh që jeni shumë këmbëngulës në këtë çështje. Pse nuk këmbëngulni për problemet e popullit rumun? Pse nuk këmbëngulni për problemin e varfërisë, për problemet e personave me aftësi të kufizuara, për problemet e njerëzve që po shesin veshkën?”, tha Georgescu në videon që i kishte 3.1 milionë shikime në TikTok.

Fushatë e koordinuar mirë

Përveçse shprehte pikëpamjet e tij politike, Georgescu e përdorte gjithashtu TikTok-un për të postuar video ku shihej duke shkuar në kishë, duke bërë xhudo dhe duke vrapuar në pistë, në përpjekje për ta përforcuar imazhin e tij si një i krishterë që bën jetë të pastër.

Për t’u siguruar që videot e tij në TikTok do të shikoheshin nga një audiencë sa më e gjerë, Georgescu u bëri thirrje ndjekësve të tij t’i shpërndanin ato dhe t’i promovonin me hashtag-e që përfshinin emrin e tij.

Kjo dukej të ishte një fushatë e koordinuar shumë mirë dhe videot e shkurtra, që përmbanin deklaratat e Georgescut, u shpërndanë nga mijëra llogari të tjera, disa prej të cilave kishin emrin e tij në titullin e llogarisë dhe të tjera që thjesht postonin me hashtag-un #călingeorgescu.

Hashtag-et dhe fjalët kyçe me emrin e populistit të ekstremit të djathtë filluan të shpërhapeshin me shpejtësi teksa po afrohej rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale.

Duke qenë se TikTok-u rumun u bombardua nga termi – Calin Georgescu – platforma e mediave sociale filloi ta plotësonte automatikisht emrin e tij në shiritin e kërkimit, një praktikë standarde e TikTok-ut për fjalët më popullore në trend.

Kjo strategji ka funksionuar deri më tani për Georgescun. Pyetja për shumë rumunë është nëse do të funksionojë përsëri më 8 dhjetor, kur ai do të përballet me Lasconin në balotazh.

/REL

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer