E premte, 29 Nëntor, 2024

Nipi i famshëm i Besnik Bislimit ia mësynë një pozite tjetër shtetërore, të enjtën do votohet në Kuvend për bordin e KOSST-it

Nipi i famshëm i zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimit të cilin ai kishte 50 vite që se kishte parë asesi të rehatohet në institucionet publike.

Gëzim Tosunin lirisht mund ta quajmë edhe “nipin e pushtetit” pasi për katër vite mandat, qeveria Kurti u mundua ta rehatojë në disa pozita në ndërmarrjet publike në vend.

Gazeta Infokus ka siguruar dokumentin i cili dëshmon se së fundmi për të katërtën herë pushteti është duke u munduar që Tosunin ta punësojë në bordin e drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – Kosst.

Të enjten në Kuvendin e Kosovës, pritet të votohet për 6 emra, ku emri më i votuar do të zgjedhet udhëheqës i bordit në Kosst, ndërsa dy emrat pasues, anëtarë të këtij bordi.

Gazeta ka siguruar dokumentin me emrat të cilët janë propozuar për votim ku emri i nipit të Bislimit, është i dyti në listë.

Tre vendet paraprake ku ekzekutivi punësoi Gëzim Tosunin – Skandali me nostrifikimin e diplomave

Siç kishte raportuar gazeta, Gëzim Tosuni ishte emëruar nga qeveria në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

E kjo pozitë doli të jetë jo vetëm punësim në baza familjare por edhe konflikt interesi. Kjo sepse Tosuni në të njëjtën kohë ishte duke mbajtur edhe pozitën e anëtarit të bordit për nostrifikimin e diplomave në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit.

E gjithë kjo për faktin se procesit të nostrifikimit i nënshtrohen edhe profesorët e ndryshëm me qëllim të akreditimit të programeve të caktuara të kolegjeve dhe universiteteve. Rrjedhimisht, i bie që i njëjti person do të nostrifikonte edhe diplomat dhe do të akreditonte programet e arsimit të lartë.

Mirëpo pas raportimit të Infokusit, nipi i të dytit të shtetit ishte obliguar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të hiqte dorë nga njëra pozitë.

Me Ligjin për Arsimin e Lartë është e definuar qartë se anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk duhet të jenë të punësuar nga asnjë bartës i arsimit të lartë në Kosovë.

Anëtarët e këtij këshilli janë të obliguar të japin edhe një deklaratë nën betim se do ta kryejnë me nder, besnikëri, drejtësi dhe pa anim, detyrën e besuar.

Nipi i Bislimit ia mësyu edhe garës për guvernator të BQK-së

Nuk kaloi shumë kohë e Gëzim Tosuni i hyri edhe garës për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Postin e guvernatorit po e synonin hiq më pak se 14 kandidatë.

Në garë përveç guvernatorit të asaj kohe, Fehmi Mehmetit, ishin edhe disa emra të njohur që kanë qenë me vite pjesë e BQK-së.

Pas raportimit të gazetes, sërish Tosuni ishte eliminuar nga gara për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje ai nuk e kishte kaluar as fazën e intervistimit dhe ishte eliminuar nga gara.

Pas të gjitha reagimeve publike, në një debat televiziv, ministrja e Drejtësisë e gjendur përballë punësimeve të nipit të Bislimit kishte deklaruar se e kishte pyetur zv.kryeministrin Bislimi për të dhe se ai i kishte thënë që ka 50 vite që nuk e ka parë nipin e tij, i cili në moshë është më i ri se kaq.

Madje pas reagimeve të shumta edhe të opozitës në Kuvendin e Kosovës, Arbërie Nagavci ishte tallur me këtë rast se çfarë janë mes vete Tosuni dhe Bislimi.

“Ashtu, diçka ngjashëm siç ka thënë Albini që e ka Glaukun. Dmth as djalë i dajës, as i hallës, as nip e as motër”, kishte thënë Nagavci, me çka edhe pati nxitur të qeshura dhe reagime në Kuvend.

Mirëpo më pas Bislimi e kishte konfirmuar vetë marrëdhënien e tij familjare me Tosunin duke shpërndarë në profilin e tij zyrtar një arritje të nipit të tij e duke shkruar shkurtimisht, “Bravo Nipi”.

Çështja e Tosunit, ditëve të fundit është sjellë sërish në vëmendjen e publikut. Kjo pas një skandali tjetër që iu publikua qeverisë ku ministria e Bujqësisë i kishte ndarë grant prej 100 mijë eurosh për vëllain e deputetes të partisë në pushtet, Fitore Pacollin e edhe 100 mijë euro të tjera për dajën e të njëjtës deputete e cila njëkohësisht është edhe kryetare e komisionit parlamentar për Bujqësi.

E sërish edhe për këtë rast, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha në Podcast me Shkelzen Dakaj tha se Fitore Pacolli i ka thënë se ajo nuk flet me dajën e saj.

“Unë kam komuniku me Fitoren atë ditë kur e patëm seancën për buxhetin, daja i Fitores nuk fol me Fitoren. Nuk komunikojnë hiç. E veta Fitoren çka ka ndodh, tha kur e kemi pas marrë komunën me Shpend Ahmetin, objektin e parë që e kanë rrënu në Prishtinë ka qenë i dajës së Fitores. Fitorja ka qenë shefe e kabintetit të Shpend Ahmetit. Ndërtesën e parë, i ka thanë nuk muj me të ndihmu nëse është e kundërligjshme nuk kam çfarë bëj. Prej atëherë, bile në intervistën e dajës që ia jep kur e thirrin mediat, ai thotë mos më thirrni se ajo kur mu ka desht më së shumti nuk më ka ndihmu mu. Ai e ka pas për ndërtesën që ia kanë rrënu. Fitores as që i fol daja që e ka fitu një grant”, ka thënë Dimal Basha në “Podcast me Shkelzen Dakaj”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer