E premte, 27 Dhjetor, 2024

Mosbindje ndaj gjykatës, shkelje e fshehtësisë, pengim i personave zyrtarë e pjesëmarrje në grup – Detaje nga aktakuza e re ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt e Fazliut

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur akuzë të ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, nën pretendimin se ka penguar drejtësinë.

Në një komunikatë për media, pas aksionit të së enjtes, ZPS ka bërë me dije se në këtë rast, ka arrestuar Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, thuhet:

“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Tutje, thuhet se ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për “tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Kundër Fazliut, Smakajt dhe Kilajt është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”.

Në fund, bëhet me dije se seanca e paraqitjes së parë për katër të akuzuarit, do të mbahet të dielen nga ora 09:30.

“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të DHSK-së, seancat e paraqitjes së parë për katër nga të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore – z. Thaçi, z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj – janë caktuar për të dielën, 8 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 09:30, me paraqitjen e parë të z. Thaçi. Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për të hënën, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer