Fabio Capello foli për situatën delikate të Milanit në një intervistë për ‘Gazzetta dello Sport’, duke dhënë gjithashtu mendimin e tij mbi lojtarët e përzgjedhur gjatë merkatos së verës:
“Para se të pyesim nëse zgjedhjet ishin të goditura apo jo, le të bëjmë dy pyetje: kush i mori vendimet? Dhe mbi të gjitha, a janë bërë këto zgjedhje në marrëveshje me Paulo Fonseca-n? Përgjigjet do të ndihmonte për të kuptuar.
Mua më duket se për disa blerje, por edhe për disa largime, nuk janë bërë vlerësime të mirëfillta sportive dhe aq më pak janë dëgjuar kërkesat e trajnerit portugez. Kur them vlerësime të mirëfillta sportive, gjithmonë më kujtohet Ariedo Braida, një drejtues me kompetencë të jashtëzakonshme. Braida nuk ishte vetëm i shkëlqyer në vlerësimin e një futbollisti, por mbi të gjitha e kuptonte çfarë do të thotë të luash për Milanin. Më kujtohen gjithmonë komentet e tij: “I mirë ai, por a është për “San Siro”?
Nuk është njësoj si të luash diku tjetër, ka një peshë specifike të ndryshme. Për shembull, Emerson Royal nuk më duket një lojtar për Milanin. Është një blerje që nuk do ta kisha bërë, sepse nuk të përmirëson në një pozicion ku tashmë kishe Calabria-n, të riun Jimenez dhe, nëse dëshiroje, Kalulu-në, i cili gjithashtu do të të ndihmonte edhe si qendërmbrojtës.
Edhe unë mendoj se nevojitej një mbrojtës i djathtë, por nëse e blen, duhet të jetë një nivel më i lartë. Me brazilianin, nuk e ke bërë këtë. Një diskutim i ngjashëm vlen për Pavlovic-in, megjithëse për serbin do të jem më i kujdesshëm: është ende i ri dhe e kemi parë shumë pak. Edhe këtu, megjithatë, pyes nëse ishte një blerje aq e domosdoshme dhe pse, në vend të tij, të mos mbahej Kalulu, i cili tashmë njihte ambientin dhe te Juventusi po bën mirë.
Pika kryesore e merkatos duhej të ishte sulmuesi, duke parë që Giroud ishte larguar. Kanë ardhur Morata dhe Abraham, por tifozët kuqezi pyesin pse Milani nuk mori një golashënues të vërtetë, një që të shënojë 20 gola. Pyetja që duhet bërë është: kë mund të blije me të njëjtin buxhet? Nuk shoh sulmues të besueshëm dhe të arritshëm në treg. Morata, pastaj, është një lojtar i kompletuar, një lider dhe nuk besoj se Milani mund të gjente diçka më të mirë. Dhe Abraham si alternativë nga stoli është më se i pranueshëm”.