Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, siç duket ka një person shumë të pëlqyer me faktin se, të njëjtit po ia përgatit terrenin gati tash e një vit për ta punësuar në Ministrinë e tij.
Duke u bazuar në ato që do i paraqesim më poshtë, synimi i ministrit Peci për personin në fjalë është shumë i qartë: i njëjti ta marrë një pozitë shumë të rëndësishme në këtë Ministri.
Brenda një periudhe prej më pak se 10 muajsh, Bleron Haxhiu, fillimisht punësohet në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë me kontratë të jashtëligjshme përmes procedurave të prokurimit edhe pse pozita ishte e rregullt. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023, shkruan Periskopi.
Rreth këtyre punësimeve ishte raportuar më 13 nëntor të këtij viti, ku ministri Peci angazhoi 26 konsulentë përmes prokurimit, e që buxhetit të shtetit do i kushtonin afro 500 mijë euro.
Ky ishte hapi i parë që Bleron Haxhiu do të merrte drejt “rrugës” së tij në Ministrinë e udhëhequr nga Peci.
I preferuari i Pecit, më pas ia mësyn Zyrës së Prokurimit në Ministri. Aty zgjedhet fitues, por sërish me shkelje ligjore të shumta çka edhe e vërteton vendimi i KPMSHCK ku mori vendim për anulimin e procesit në terësi.
Bleron Haxhiu vazhdon me hapa të sigurt, tash në në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë – si “Zyrtar i lartë i pagesave direkte”, në Departamentin e Pagesave direkte, zyre kjo e cila menaxhon hiç më pak se 60 milionë euro.
“Apetitet” e të preferuarit të ministrit Peci, nuk kanë të ndalur edhe sot e kësaj dite. Edhe pas tri pozitave të pranuara brenda ne më pak se një vit, shumica me shkelje ligjore edhe të konfirmuara, tashmë i njëjti sipas burimeve të Periskopit, është në listën e ngushtë – në hiç më pak se atë të “Udhëheqësit për Buxhet dhe Financa” në Ministrinë e Bujqësisë.
Krejt në fund shtrohet pyetja, kur java e ardhshme pritet të vijë me risi të reja rreth kësaj pozite; a do t’ia arrijë, Faton Peci, që të preferuarin e tij ta punësoj edhe në këtë vend pune (të 4-tin) brenda një viti…?
Kujtojmë se në vazhdimësi është raportuar rreth keqpërdorimeve, dallavereve e skandaleve që e kanë përcjellur Ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci.