Sot, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, zhvilloi një takim me kryetarët e degëve nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Abdixhiku thotë se ky takim shënon një moment të rëndësishëm, duke konfirmuar përbashkimin, fuqinë dhe gatishmërinë e LDK-së për të sjellë ndryshimin e madh që do të nisë me 9 shkurt.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se Lidhja Demokratike është një forcë e ringritur, me rrënjë të forta dhe degë të fuqishme.
Ai shtoi se besimi qytetar ndaj LDK-së është në rritje, dhe kjo ka krijuar një momentum të paprecedentë për ndryshim në vend.
“Ne po e udhëheqim valën e ndryshimit me një energji të jashtëzakonshme, falë mobilizimit qytetar dhe përkrahjes që po e marrim në çdo fshat dhe qytet”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, LDK është e gatshme të fitojë, me një program të bazuar në ekspertizë të thellë, si dhe me angazhimin për të krijuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Programi “Rruga e Re”, i hartuar nga 270 ekspertë, do të sjellë ndryshime të thella dhe përmirësime të menjëhershme për çdo familje kosovare.
Abdixhiku e mbylli fjalimin duke ftuar të gjithë qytetarët të bashkohen për të sjellë ndryshimin e madh në 9 shkurt.
“124 është numri i ndryshimit, dhe 9 shkurti është dita e fitores!”.