Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), Gjenerallejtënant Bashkim JASHARI ka pritur sot në takim Gjeneral Major John Phillips, Drejtor i Komunikimit dhe Kibernetikës në EUCOM. Fillimisht Gjeneral Jashari e informoi Gjeneralin Phillips mbi të arriturat e FSK-së në përgjithësi dhe në veçanti të arriturat e FSK-së në fushën e komunikimit dhe mbrojtjes kibernetike.
Pastaj takimi u fokusua në rreziqet e mundshme nga sulmet kibernetike dhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin dhe ngritjen e forcave të armatosura. Më pas Gjeneral Major Phillips, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me FSK-në në sigurinë e informacioneve dhe komunikimit. Gjeneral Major Phillips përgëzoi Gjeneral Jasharin për arritjet e jashtëzakonshme që janë bërë në zhvillimin e FSK-së.
Në fund të takimit të dy gjeneralët u pajtuan që në të ardhmen të thellojnë bashkëpunimin në fushën e komunikimit përmes Marrëveshjes për Ndërveprimin dhe Sigurinë e Komunikimeve.
Marrëdhëniet e FSK-së me aleatët e saj strategjikë janë të rëndësishme në fuqizimin dhe zhvillimin e saj e në linjë me këtë Komanda e Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM) do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.