E diel, 2 Shkurt, 2025

Pjesëmarrja e fëmijëve në tubimet në Drenas, LVV gjobitet me 1,500 euro nga PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 1,500 euro për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatën zgjedhore që kanë zhvilluar në Drenas.

Sipas vendimit të PZAP të datës 01.02.2025, pala që është ankuar është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Më 29.01.2025, PDK në ankesën e saj ka pretenduar se në tubimet e LVV-së në Drenas, në Palestrën e Sportit janë publikuar disa fotografi të ndryshme ku vërehet prezenca e fëmijëve të mitur nën moshën 15-vjeçare, pa prezencën dhe pa lejen e prindërve.

PDK ka theksuar se janë cënuar dispozitat e Rregullores Zgjedhore 07/2024 dhe ky veprim përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve të përcaktuara me kushtetutë dhe koneventa ndërkombëtare, pasi fëmijët nuk mund të përdoren dhe shfrytëzohen për qëllime të organizimit të fushatë zgjedhore.

“Si provë në ankesë kanë bashkangjitur fotografi nga tubimi i mbajtur i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Drenasit” – thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP-së, të datës 01.02.2025.

“Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën 15 vjeçare në fushatë zgjedhore” – thuhet në nenin 5, paragrafin 3 të Rregullores Zgjedhore 07/2024.

PZAP ka kërkuar përgjigje nga LVV më 29.01.2025, e cila një ditë më pas i është përgjigjur duke thënë se “është e paqëndrueshme dhe se ankesa nuk përmban asnjë fakt të shkeljes së nenit 5, par.3 të Rregullores Zgjedhore 07/2024. LVV në përgjigjen e tyre theksojnë se nga provat e bashkangjitura të pretenduesit, LVV nuk është e ndërlidhur me angazhimin e fëmijëve në fushatë” – shkruan më tutje në arsyetimin e vendimit të PZAP.

Mirëpo, PZAP duke u bazuar në fotografitë që PDK ka bashkëngjitur në ankesën e saj, ka vërtetuar se në tubimin e LVV-së për fushatë zgjedhore kanë marrë pjesë edhe fëmijët.

Vendimin e plotë të PZAP-së për këtë rast mund ta lexoni në këtë LINK.

Shuma të majme të gjobave ka shqiptuar PZAP kundrejt partive politike që nga fillimi i fushatës zgjedhore.

PZAP u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më 22.01.2025.

Për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer