Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu është shmangur pyetjeve lidhur me refuzimin e ftesës ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për takim konsultativ.
Ai gjithashtu shmangu komentimin mbi refuzimin e letrës së dërguar nga kryetari i LDK-së, pas kërkesës për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja.
Këto pyetje u shtruan pas homazheve të mbajtura për nder të rënëve në Betejën e Koshares.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti për një takim konsultues para seancës konstituive të 15 prillit.
Pas mbledhjes së mbajtur me nënkryetarët e LDK-së, Abdixhiku ka dalë me një reagim zyrtar.
Në reagimin e tij, Abdixhiku ka bërë të ditur se ka refuzuar ftesën e Kurtit për shkak të zotimeve të bëra ndaj elektoratit gjatë fushatës dhe pas certifikimit të rezultateve.
Abdixhiku ka bërë të ditur se për refuzimin e Kurtit ka ndikuar edhe gjuha fyese e përdorur në drejtim të LDK-së gjatë fushatës zgjedhore.
“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Abdixhikut.