Ikja e të rinjëve nga Kosova e specifikisht nga Komuna e Skenderajt po vazhdon në numër të madh drejt vendeve perendimore, shkruan portali rajoni.org.
Shumica e tyre po e lënë vendin për një të ardhme më të mirë. Mungesa e të rinjëve, e sidomos e punëtorëve në vendin tonë ka filluar të vërehet mjaft shumë, pasi shumë biznese po shpallin konkurse pune.
Këtë realitet të hidhur po e përjeton edhe Kushtrim Gjinovci, i riu nga Makërmali Skenderaj, i cili ka vendosur t’i japë fund përpjekjes për të ndërtuar një të ardhme në vendlindjen e tij.
Gjinovci ka treguar se po largohet nga Kosova, jo nga dëshira e tij por nga detyrimi.
“Kosovë po largohem. Jo sepse dua, por sepse më detyrove. Po iki nga toka që më rriti, më mësoi të dua, të ëndërroj, të shpresoj – por që nuk më dha mundësinë t’i realizoj ato ëndrra. Kosova ime, e dashur dhe e dhimbshme, sa herë kam pritur që të ndryshosh, që të bëhesh vend i mundësive dhe jo i padrejtësive, vend i punës e jo i lidhjeve, vend i meritës e jo i miqësive. Kam pritur, duruar, shpresuar… derisa shpresa filloi të bëhet plagë. E di që nuk jam i pari që largohet. Por çdo ikje është një humbje – për ty, për ne, për të ardhmen”, ka shkruar Gjinovci.
Ai tutje në këtë postim tha se ka tentuar disa herë të ndërtojë një jetë në vendlindjen e tij por përprekja e tij tashmë ka mbaruar.
“Kam dashur të ndërtoj jetën këtu. Të kontribuoj, të qëndroj pranë familjes, të jetoj me dinjitet. Por më mësove që këtu nuk mjafton të jesh i dijshëm, i ndershëm dhe punëtor. Më mësove që ëndrrat këtu kanë afat skadimi. Po largohem me zemrën e rënduar, por me kokën lart. Sepse kam bërë gjithçka që kam mundur – kam mësuar, kam punuar, kam duruar. Tani është koha të mendoj për të ardhmen time, larg teje, ndoshta për herë të fundit. Kjo nuk është urrejtje. Është zhgënjim. Dhe zhgënjimi është formë dashurie që nuk ka gjetur kthim”.
“Lamtumirë Kosovë, ti që më dhe emrin, por nuk munde të më japësh të ardhmen. Ti që më mësove të dua tokën, por ma shkele mundësinë për të ecur mbi të me dinjitet. Po shkoj… me një valixhe shprese dhe me një zemër që dhemb për ty, më shumë se për veten. Unë, biri yt i lodhur… por gjithmonë i yti!”, është shprehur Gjinovci.