Monday, April 21, 2025

Driton Ajazi përkujton Masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër: “Të mos harrojmë kurrë ata që dhanë gjithçka për liri”

Kryetari i “Demokratëve për Drenasin”, Driton Ajazi, ka kujtuar sot 26-vjetorin e masakrave të kryera më 17 prill 1999 në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, duke theksuar dhimbjen kolektive që mbetet e gjallë në kujtesën e popullit shqiptar.

Ajazi kujtoi mizorinë me të cilën u masakruan 54 civilë të pafajshëm në Poklek – burra, gra, të moshuar e 23 fëmijë – përfshirë edhe poetin e njohur Ymer Elshani.

Ai gjithashtu përkujtoi dëshmorët Sokol Elshanin, Fetah Kiqinën, Besim Malën dhe Halil Bajraktarin, të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ai theksoi se sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin qëndron liria e vendit.

Postimi i plotë:

Sot ishte një ditë me diell dhe e ngrohtë, por nuk ishte e tillë më 17 prill të vitit 1999, sepse mbi Poklekun dhe Çikatovën e Vjetër kishin rënë re të zeza, si një paralajmërim i heshtur për tragjedinë që do të ndodhte.

Atë ditë, errësira nuk ishte vetëm në qiell, por mbi gjithçka. Në Poklek 54 jetë u shuan mizorisht qytetarë të pafajshëm, burra, gra, të moshuar dhe plot 23 fëmijë, të cilëve iu ndërpre ëndrra për të jetuar. U vranë e më pas u dogjën, në një nga aktet më çnjerëzore të asaj kohe. Në mesin e tyre, edhe poeti dhe shkrimtari ynë i dashur, Ymer Elshani, zëri i shpirtit tonë kolektiv. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë!

Në të njëjtën ditë u ekzekutuan në mënyrë barabare edhe 24 banorë të Çikatovës së Vjetër, dëshmi e një krimi që ende nuk ka marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia ndërkombëtare. Edhe 26 vite më pas, plagët e asaj dite të kobshme janë ende të hapura. Gjaku i derdhur nuk është tharë ende dhe troket në ndërgjegjen e botës dhe kërkon drejtësi!

Sot përkujtuam edhe dëshmorët tanë: Sokol Elshanin, Fetah Kiqinën, Besim Malën e Halil Bajraktarin. Ata që me guximin dhe gjakun e tyre bënë që liria të mos mbetet vetëm ëndërr, por të bëhet realitet. Ata janë gurthemeli i Kosovës së lirë.

Sakrifica e dëshmorëve dhe masakra e Poklekut dhe e Çikatovës së Vjetër është kujtim i dhimbjes sonë kolektive dhe një dëshmi e çmimit të lartë që kemi paguar për lirinë tonë. Të mos i harrojmë kurrë ata që dhan gjithçka, e të mos falim kurrë padrejtësinë ndaj tyre! Të qojm në vend amanetin e tyre, për të cilin ata u sakrifikuan.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit!🇦🇱🇽🇰
#LiriaKaEmer

D.A.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer