Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj, ka kërkuar nga udhëheqja e LDK-së që të pranojë ftesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për një takim konsultativ më 1 maj, lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Në një reagim në Facebook, Murtezaj ka theksuar se pjesëmarrja në tryeza diskutimi, sidomos në kohë krize institucionale, është vlerë demokratike dhe shenjë lidershipi.
“Në politikë, dhe në situata krize, kur Republika e Kosovës nuk ka Kuvend aktiv, dhe as Qeveri aktive, pjesëmarrja në tryezë diskutimi, pa hyrë në asnjë lloj paragjykimi, është vlerë demokratike dhe lidership. Kosova është shtet i ri dhe është esenciale që dialogu mes palëve të ndryshme, të shmang thellimet e krizave”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Murtezajt, refuzimi i dialogut nuk ndihmon në tejkalimin e krizave, ndërsa pjesëmarrja në diskutime nuk duhet të shihet si dobësi.
Kujtojmë se ftesa e Kurtit është bërë në drejtim të kryetarëve të LDK-së dhe PDK-së, me synimin për të gjetur zgjidhje pas disa dështimeve për konstituimin e Kuvendit të ri.