Qytetari Selim Behramaj po akuzon Komunën e Skenderajt për rrënim të shtëpisë dhe marrjen e pronës së tij në mars të vitit 2024, duke e kthyer në shfrytëzim për parkingje, shkruan kallxo.com.
Pasi u bë vendkëqyrja në vend të ngjarjes në tetor të vitit të kaluar, sot, më 30.04.2025, u mbajt seanca e radhës në Gjykatën e Mitrovicës, ku të pranishëm ishin paditësi, avokati i tij, avokati i të paditurës- Komunës së Skenderajt si dhe gjeodeti i cili ka bërë matjen e pronës.
Në seancën e sotme, gjyqtari Fuad Haliti mori aktvendim që të aprovohet propozimi për dëgjimin e paditësit në seancën e radhës të caktuar për më 29 maj 2025.
E po ashtu gjyqtari aprovoi edhe propozimin për të kërkuar nga Komuna shkresat/dokumentacionin në lidhje me rrënimin e shtëpisë së paditësit, për të cilin kërkon kompensimin dhe për këtë siç thotë Haliti, Gjykata do t’i paraqesë kerkesë të shkruar të paditurës.
“Aprovohet propozimi i të autorizuarit të paditësit për shtyrjen e kësaj seance për një datë tjetër në të cilën do të dëgjohet paditësi dhe do të bëhet administrimi i provave”- tha gjyqtari
Çka deklaruan avokati i Behramajt dhe ai i Komunës në seancë?
Avokati i paditësit, Qëndrim Rama, tha se Behramaj që nga viti 1987 është pjesë e pandashme e këtij trualli të cilin nuk ka e fituar as me para dhe as me ndikim, por siç thotë ai, me mund, sakrificë dhe punë të ndershme në shërbim të ndërmarrjes ku ka punuar.
“Selim Bahramaj ka punuar në këtë ndërmarrje pa pagesë me vetëdijen e plotë se po kuntribuonte në hapësirën që iu dha në shfrytëzim mbi të cilën i njëjti ndërtoi dhe rindërtoi shtëpinë e tij të banimit”- tha Rama.
Ndërsa avokati i të paditurës, Enver Çerkini, tha se kundërshton padinë dhe kërkesë-padinë e paditësit si të pabazuar dhe të pambështetur në ligj.
“Po ashtu njoftojmë me kohë gjykatën se në kohë i kemi pranuar ekspertizën e punuar nga eksperti i gjeodezisë, Nehat Sahiti, ndaj të cilës pas elaborimit dhe sqarimit nga eksperti të kemi mundësi për ndonjë sqarim eventual shtesë lidhur me këtë ekspertizë”- tha ndër të tjera Çerkini.
Se qëndron në tërësi pranë ekspertizës gjeodezike e thot gjeodeti Nehat Sahiti duke shtuar se për çfarëdo sqarimi shtesë është i gatshëm të deklarohet.
Po ashtu kërkesa e dytë e avokatit është që Gjykata ta detyrojë Komunën e Skenderajt që ta sjellë vendimin për rrënimin e shtëpisë në vitin 2009.
“I propozoj Gjykatës që ta detyrojë Komunën e Skenderajt që ta njoftojë se a ka shkresë në të cilën ka njoftuar në vitin 2009 paditësin Selim Behramaj se a është i dhënë ndonjë afat shtesë për rrënimin e shtëpisë, ndonjë këshillë juridike për atakimin e atij vendimi, nësë ka pasur vendim”- tha Rama.
Mbrojtësi i Komunës së Skenderajt tha se pika e parë e propozuar nga avokati Rama le të mbetet në diskrecionin e Gjykatës, ndërsa për propozimin mbi shkresat e vendimin e Komunës ai tha se “ky propozim nuk duhet të gjejë vend”.
“Të gjitha provat gjinden në shkresat e lëndës lidhur me të gjitha vendimet e ndërmarra deri më 28.02.2024 të procesverbalit mbi rrënimin të lëshuar nga inspektorët komunalë të Komunës së Skenderajt. Prandaj në bazë të të lartcekurave, ky propozim nuk do të duhej të gjejë vend për aprovimin e të njëjtit për arsye se është konsumuar në mbajtjen e një mori seancash dhe dorëzimit të provave e shkresave, që të gjithave lidhur me këtë”- tha Çerkini.
Gjyqtari i lëndës, Fuad Haliti, aprovoi propozimet e avokatit të paditësit dhe më 29.05.2025 në orën 13:30 u caktua seanca e radhës.
Gjykata e Mitrovicës kishte marrë vendim që brenda 15 ditësh të bëhet ekspertiza gjeodezike për rastin e pronës ndërmjet qytetarit Selim Behramaj dhe Komunës së Skenderajt. Kështu vendosi Gjykata në seancën e mbajtur më 18.10.2024.
Në pronën në të cilën thoshte se kishte investuar dhe jetuar që nga vitet e ’80, qytetari pretendonte se e kishte marrë nga kompania e ujësjellësit ku ishte duke punuar.
Avokati i paditësit, Qëndrim Rama, kishte bërë të ditur se nga Komuna e Skenderajt klienti i tij kërkon vetëm një pjesë të kësaj prone, ku po ashtu kërkon që të bëhet edhe ekspertizë nga fusha e ndërtimtarisë.
“Po, vetëm 5 ari të kësaj prone, gjithashtu kërkoj nga ju zotëri gjykatës që të bëhet edhe një ekspertizë nga fusha e ndërtimtarisë”-u shpreh avokati./Kallxo.com