Dosja e Prokurorisë Speciale të Kosovës tregon se Hysri Selimi, i arrestuar më 6 maj dyshohet për spiunazh.
Telegrafi raporton se Selimi ka pasur biseda me një zyrtar të BIA-s, të cilat janë zhvilluar në aplikacionin Viber.Siç raportohet tutje aty, në biseda shihet një bashkëpunim i Selimit me BIA-n, duke përfshirë raportime për arrestime në Kosovë, lëvizje të grupeve radikale dhe interesim për krijimin e mesxhideve (xhamive) ilegale jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).
Bisedat përmes Viber që zbulojnë detaje të reja:
Në një nga mesazhet e datës 5 qershor 2024, Selimi njofton zyrtarin serb për arrestimin në Ferizaj të dy personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të Serbisë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Më pas, ai shpreh shqetësim për mundësinë e përfshirjes së tij në këtë rast.
“A keni dëgjuar për këtë lajm? A është e mundshme ta kem ndonjë problem? Pavarësisht, unë udhëtoj si njeri i lirë,” – i shkruan Selimi zyrtarit të BIA-s serbe.
Zyrtari i BIA-s i përgjigjet të nesërmen: “Jo bre. Çfarë lidhje ke ti. Shihemi nesër rreth orës 08:30!”
Në një komunikim tjetër, mes Selimit dhe zyrtarit të BIA-s, konfirmohen dyshimet e mëhershme për përfshirjen e Serbisë në nxitjen e rrymave radikale në Kosovë.
Selimi shkruan: “Genci dhe Alejhimi jo… nuk flasin me grupin e tij”. Menjëherë pason përgjigja e zyrtarit të BIA-s: “A po shikojnë që ta themelojnë mesxhidin?”.
Kjo është konsideruar si një nga bërthamat kryesore të bashkëpunimit të Selimit me BIA-n.
Sipas dosjes së PSRK-së, Selimi ka mbledhur e më pas i ka dhënë informacione BIA-s për numrin e personave të radikalizuar dhe numrin e atyre qytetarëve të Kosovës që kanë shkuar për të luftuar në Siri.





