Asambleisti i Kuvendit Komunal të Drenasit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Egzon Qorri, ka njoftuar për fillimin e realizimit të një projekti të rëndësishëm për lagjen Qorri në Drenas, shkruan rajoni.org.
Përmes një postimi në facebook, Qorri bëri të ditur se, pas angazhimit të tij të vazhdueshëm dhe kërkesës së dorëzuar pranë organeve komunale, është dhënë konfirmimi zyrtar për fillimin e punimeve që përfshijnë:
• Rregullimin dhe rrethimin e varrezave të lagjes Qorri,
• Ndërtimin e parkingut pranë varrezave,
• Si dhe sistemimin e kanalit kullues në zonë.
Ai theksoi se ky projekt është rezultat i përkushtimit të tij si përfaqësues i banorëve të lagjes dhe një dëshmi e besimit që i është dhënë nga qytetarët.
“Ju siguroj se do të vazhdoj të punoj pa ndalur për plotësimin e nevojave të komunitetit tonë – kjo është detyra dhe përgjegjësia që më keni besuar,” u shpreh Qorri, duke premtuar angazhim të vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.