Igball Jashari, nipi i heroit kombëtar Adem Jashari, ka ndarë me publikun historinë e tij si futbollist dhe ka folur për të ardhmen në një intervistë të fundit.
Ai ka zbuluar se ka nisur të merret me futboll që në moshën 7-8 vjeçare, kur u bashkua me ekipin e Drenicës.
“Futbollin e kam nisur në moshën 7-8 vjeçare te Drenica, pastaj kam kaluar te Shkolla e Futbollit Kurda,” tha Igballi.
“Te Prishtina e kam nënshkruar kontratën e parë profesionale, kam qëndruar tri vjet aty, për një kohë që i falënderojë ‘Plisat’ e Prishtinën.”
Një nga momentet më interesante të intervistës ishte kur ai tregoi për një tatuazh me rëndësi të madhe për të.
“Tatuazhin e kam të babait, nga një foto e vitit 1999, kur ai kishte dalë në luftë si 17-vjeçar,” shprehu Igballi, duke theksuar se ky tatuazh ka një kuptim të veçantë, duke ruajtur kujtimin e një periudhe të rëndësishme për familjen e tij.
Në lidhje me familjen, Igballi tha se futbolli është pjesë e historisë së saj.
“Në familjen time ka luajtur futboll xhaxhai im, Fazliu, por që shkaku i disa lëndimeve e kishte lënë,” shtoi ai.
I pyetur për arritjet e tij në futboll, Igballi tregoi krenarinë për Drenicën dhe qëllimin e tij për sezonin e ardhshëm.
“Misionin e parë e kam arritur te Drenica, me rikthyer në Superligë aty ku e ka vendin,” tha ai.
Megjithatë, ai shprehu edhe një ëndërr më të madhe:
“Ëndrra e çdo lojtari në futboll është që të kalojë te kombëtarja A. Shpresoj që me lojë të mira të miat, do të ftohem ndonjëherë te kombëtarja A.”, tha ai në Favorit të T7.
Igballi u shpreh se për të është një privilegj dhe krenari të jetë pjesë e familjes Jashari.
“Për mua është privilegj që jam nga kjo familje, është një krenari mjaft e madhe për mua.”