Nënkryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë, Halit Zogaj, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, keqpërdorimeve të mëdha të buxhetit komunal nga qeverisja lokale e udhëhequr nga Nisma Socialdemokrate, shkruan portali rajoni.org.
Në një postim në rrjetin social “facebook”, Zogaj ka ngritur akuza për, siç shprehet ai, një “gjakderdhje financiare” në Komunën e Malishevës, duke përmendur investime milionëshe të dyshimta në projekte urbane, ndërkohë që sipas tij, fshatrat po vuajnë mungesën e investimeve elementare.
“Buxheti komunal është shndërruar në mjet për interesat e partisë Nisma, për shefat e saj dhe për një firmë të caktuar që vazhdimisht fiton tenderët – gjithmonë e njëjta kompani nga Shiroka e Suharekës,” thuhet në deklaratë.
Sipas tij, ndërsa qyteti po mbulohet me beton, fshatrat e Malishevës përballen me: mungesë të rrugëve,
• mungesë të ndriçimit publik,
• mungesë të ujit të pijshëm,
• kanalizime të dëmtuara dhe të pa mirëmbajtura,
• mungesë të projekteve zhvillimore.
Zogaj në statusin e tij ka kërkuar hetim të menjëhershëm për tenderin e fundit të dhënë nga Komuna për punë shtese për ndërtimin e sheshit me procedurë të negociuar pa publikim dhe ndalje të favorizimit të një grupi të vetëm operatorësh ekonomikë.
Postimi:
Vazhdon “gjakderdhja financiare” në Komunën e Malishevës!
Të nderuar bashkëqytetarë,
Sot, më shumë se kurrë, bëhet e qartë ajo që e paralajmërova para tri javësh: buxheti komunal është shndërruar në mjet për interesat e partisë Nisma, për shefat e saj dhe për një firmë të caktuar (pse gjithmonë fiton tenderët vetëm kjo firmë në Komunën e Malishevës?! Qenka nga Shiroka e Suharekës – shih faktet!).
Nuk i mjaftuan as:
8.2 milionë euro për sheshin në qendër të qytetit,
3.5 milionë për rrugën drejt Rahovecit,
1.5 milionë për lumin e qytetit (Zoti e di se sa herë është “rregulluar” ai lumë),
Tash, qeverisja “Fasadë” e Nismës po derdh mbi 9 milionë euro, pa garë, me tender të mbyllur dhe të dyshimtë, për të njëjtin projekt në qendër!
E njëjta kompani, e njëjta histori: miliona për beton e fasadë, zero për jetën reale të qytetarëve në fshatra!
Ky është një abuzim flagrant me prioritetet e qytetarëve.
Kjo nuk është zhvillim, nuk është vizion – kjo është shpërdorim i buxhetit në favor të një grupi të vogël përfituesish.
Ndërkohë që sheshi betonizohet me miliona, fshatrat:
nuk kanë rrugë,
nuk kanë ndriçim publik,
nuk kanë ujë të pijshëm,
kanë kanalizime të pa mirëmbajtura,
nuk kanë asnjë projekt zhvillimor.
Kërkojmë:
Hetim të menjëhershëm për tenderin me procedurë të negociuar pa publikim,
Ndalje të favorizimit të një grupi të vetëm operatorësh ekonomikë,
Rishikim urgjent të prioriteteve të investimeve kapitale me përfshirje të barabartë të të gjithë territorit të komunës.
Të dashur qytetarë të Malishevës,
Nuk duhet të heshtim më!
Zëri i intelektualëve duhet të ngrihet!
Aktivistët duhet të thonë: “Mjaft më!”
Mediat dhe gazetarët, veçanërisht portalet lokale që i shohin këto padrejtësi çdo ditë, duhet të publikojnë faktet pa frikë!
Drejtësia buxhetore është detyrim – jo opsion!
Kjo është Komuna e Malishevës sot:
Korrupsion, mungesë transparence dhe zero meritokraci.
Kjo nuk është zhvillim – kjo është skemë!
Një grusht njerëzish po pasurohen, ndërsa shumica e qytetarëve mbesin pa shërbimet më bazike.
Ky është krim institucional, madje edhe moral, ndaj fshatrave të Malishevës!
Deri kur do të tolerohet kjo padrejtësi?
Deri kur do të heshtim përballë një pushteti që, për 12 vjet me radhë, sakrifikon tërë komunën për të mbijetuar partia?
Zgjohu Malishevë – është koha të thuhet: MJAFT!