Në prag të Ditës së Çlirimit të Drenasit, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se ka përgatitur mirënjohje për të gjitha familjet e dëshmorëve të komunës, në pajtim me Regjistrin zyrtar për dëshmorët, shkruan rajoni.org.
Sipas njoftimit të publikuar nga vetë Lladrovci, mirënjohjet do të shpërndahen duke filluar nga data 18 qershor 2025, përmes drejtorëve të shkollave, sipas lokalitetit të secilës familje.
“Në shenjë nderimi për çdo familje të dëshmorit, me rastin e Ditës së Çlirimit, kam përgatitur mirënjohje për secilën familje… për shkak të racionalizimit të kohës dhe rrethanave, mirënjohjet mund t’i merrni te drejtorët e shkollave”, thuhet në postimin e tij.
Megjithatë, ky veprim ka ngjallur reagime dhe po shihet me dyshime, pasi që kjo po ndodh pikërisht në vitin zgjedhor.
Nderimi i familjeve të dëshmorëve është një akt i rëndësishëm, mirëpo koha kur po ndodh kjo shpërndarje mund të interpretohet si përpjekje për të fituar mbështetje politike përmes veprimeve simbolike.
Për më tepër, ndarja e mirënjohjeve përmes shkollave dhe jo në ndonjë ceremoni zyrtare institucionale ka ngritur pyetje mbi seriozitetin dhe dinjitetin e këtij veprimi.