Tuesday, June 17, 2025

Komuna e Shtimes tentoi tri herë që ta rrëzojë kundërligjshëm një Operator Ekonomik, në mënyrë që të i jap tender OJQ-së me cmimin më të lartë

Ngjashëm si Fushë Kosova, komunë e cila me cdo kusht po tenton që t’i jap tender OJQ Caritas Kosova, njësoj është duke ndodhur edhe në Komunën e Shtimes, e cila përmes veprimeve të ndryshme të kundërligjshme kundër Operatorit Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK, është duke tentuar që të i jap tenderin Caritas Kosova, pavarësisht se kjo OJQ ka ofertuar me cmim më të lartë sesa Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK.

Indeksonline, ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin publik të procedurës së tenderimit për Njoftimin për Tender për kontratën publike kornizë me titull: “Shërbime shëndetësore shtëpiake-paliative dhe shërbime sociale e rezidenciale për personat në nevojë në Komunën e Shtimes” dhe me numër 617-24-12907-2-1-1.Për këtë kontratë janë dërguar disa pyetje zyrtarit përgjegjës për prokurimin në Komunën e Shtimes, z. Muhadin Halili, ku është pyetur për këtë procedurë. Sidoqoftë, deri në ditën e publikimit të këtij hulumtimi, nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga kjo Komunë.

Ekzistojnë dy nivele të licensave për sa i përket mbulueshmërisë territoriale, niveli Nacional dhe niveli Lokal. Licensa për ofrimin e shërbimeve sociale në nivelin nacional, kërkohet vetëm atëherë kur institucionet qëndrore (e jo ato komunale), pra, Institucionet Publike Nacionale, hapin tender për ofrim të këtyre shërbimeve. Niveli komunal, që njëherit njihet edhe si Niveli Lokal, nuk ka të drejtë që të kërkojë nga Operatorët Ekonomik, licensë të nivelit nacional, pasi që nuk ka asnjë arsye ligjore apo faktike, se për cfarë do të i shërbente komunës, Operatori Ekonomik me licensë të nivelit nacional, kur mund të kërkojë vetëm licensë të nivelit lokal. Duhet të kihet parasyshë që licensa e nivelit nacional, mbulon edhe nivelin lokal.

Në bazë të hulumtimit , del se, e vetmja arsye se përse Komuna e Shtimes, në kushtet e tenderit ka paraqitur si kriter, licensën për shërbime sociale në nivelin nacional, është se, i vetmi Operator Ekonomik, i cili është i pajisur me këtë licensë të këtij niveli dhe që aplikon në këtë tender, është pikërisht OJQ Caritas Kosova. Për që nuk është dashur që të kërkohet ky lloj licensimi, është vërtetuar edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik të Kosovës (OSHP), me Vendimin e datës 01.04.2025, me numër OSHP: 2025/0016. Lidhur me këtë kriter, OSHP ka vendosur që një kriter i tillë nuk është në proporcion me objektin e kontratës. Pra, nuk është dashur të kërkohet fare kjo llojë e licensës, pasi që nuk ka pasur cka të i duhej Komunës së Shtimes, licensa në nivelin nacional.

Arsyeja e vetme se përse është kërkuar kjo licensë në kriteret e tenderit, është pikërisht sepse Komuna e Shtimes dhe OJQ Caritas Kosova, kanë qenë të vetëdijshme se Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK është i pajisur me Licensën e kërkuar për Ofrimin e Shërbimeve sociale, në nivel lokal. Në mënyrë që ta “largojnë nga loja”, të vetmin konkurrent të Caritas Kosova në këtë tender, Komuna e Shtimes e ka vendosur kriterin që licensa të jetë e nivelit nacional, pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim të plotë me proporcionalitetin e objektit të kontratës.

Gjithashtu, si kriter tjetër të pa arsyeshëm, të pabazuar dhe pa asnjë lloj relevance, Komuna e Shtimes, ka vendosur si kriter, edhe Licensën nga Ministria e Shëndetësisë, për Ambulancë Stomatologjike. Se cila është arsyeja që për tenderin për Ofrimin e Shërbimeve Sociale, të kërkohet Licensa për Ambulancë të Stomatologjisë, hulumtimi ynë ka gjetur se OJQ Caritas Kosova, është e pajisur me këtë llojë license dhe pikërisht Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK, nuk ishte i pajisur me këtë licensë. Prandaj edhe është vendosur si kriter, në mënyrë që pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë relevancë në nevoja të tenderit, është futur si kriter edhe kjo licensë. Lidhur edhe me këtë cështje, OSHP ka vendosur që nuk ka pasur asnjë arsye që të vendoset ky kriter nga Komuna e Shtimes dhe e ka anuluar dhënien e tenderit për OJQ Caritas Kosova.

Kjo cka u tha sipër, lidhur me vendosjen e kritereve që i përshtaten vetëm Caritas Kosova nga ana e Komunës së Shtimes, është vetëm faza e parë e veprimeve të kundërligjshme të Komunës së Shtimes në këtë procedurë tenderimi.

Faza e dytë, ka të bëjë me atë se, pasi që OSHP-ja e ktheu procedurën e tenderimit në pikën zero, Komuna e Shtimes, e ri-hapi procedurën e tenderimit. Në këtë procedurë, sërish aplikuan vetëm këto dy Operatorë Ekonomik, OJQ Caritas Kosova dhe KosovaMed Healthcare SHPK. Lidhur me këtë aplikim, më datën 19.05.2025, Komuna e Shtimes nxjerrë Njoftimin për Dhënie të Kontratës, duke i dhënë Kontratën OJQ Caritas Kosova me cmim më të shtrenjtë sesa KosovaMed Healthcare SHPK, kurse e rrëzon nga tenderi, Operatorin Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK, me arsyetimin se “më datën 12.05.2025 në ora 11:15 min, Komuna e Shtimes i ka kërkuar OE KosovaMed Healthcare SHPK që të i dorëzojë në Komunë, Licensat për Shërbime Sociale, me qëllim verifikimi nga Komisioni Vlerësues”. Këtë Vendim e nënshkruan z. Muhadin Halili, në cilësinë e Udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit.

Nuk kemi informata se a është bërë e njëjta kërkesë për verifikim të dokumenteve edhe për OJQ Caritas Kosova nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Shtimes.

Sido që të jetë, Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK, menjëherë parashtron Ankesë kundër këtij Vendimi, me arsyetimin se nuk ka pranuar asnjëherë një kërkesë të tillë në sistemin elektronik të prokurimit nga ana e Komunës së Shtimes dhe se po të kishte pranuar një kërkesë të tillë, sigurisht se do të i dorëzonte për verifikim licensat origjinale, pasi që të njejtat janë origjinale dhe janë lëshuar nga institucionet publike të Republikës së Kosovës.

Më datën 27.05.2025,  Komuna e Shtimes, respektivisht i njëjti person që e ka lëshuar Vendimin për Refuzim të ofertës, z. Muhadin Halili, e aprovon Ankesën e KosovaMed Healthcare SHPK, duke e kthyer lëndën e vlerësimit të ofertave, në ri-vlerësim.

Në bazë të informacioneve që kemi marrë, zyrtarët e prokurimit të Komunës së Shtimes, kërkesën për sqarim që i kanë bërë KosovaMed Healthcare SHPK, nuk i’a kan dërguar fare KosovaMed Healthcare SHPK, por, i’a kan dërguar një Operatori Ekonomik krejtësisht tjetër dhe sigurisht që KosovaMed Healthcare SHPK, nuk ka pasur se si të i përgjigjet një Kërkese për Sqarim, të cilën asnjëherë nuk e ka pranuar. Pas verifikimit të dosjes, është vërtetuar se KosovaMed Healthcare SHPK, nuk e ka pranuar asnjëherë Kërkesën për Sqarim.

Në këtë mënyrë, është tentuar që për herën e dytë, të diskualifikohet padrejtësisht Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK nga ana e Komunës së Shtimes, në mënyrë që të i hapet rrugë OJQ Caritas Kosova, që me cmimin më të lartë, të fitojë tenderin.

Faza e tretë dhe tentativa e fundit që tanimë është në procedurë ankimore në OSHP, është ajo që Komuna e Shtimës, më datën 05.06.2025, ka marrë Vendim për Dhënien e Tenderit për OJQ Caritas Kosova, në vlerë prej 404,014.40 EUR (pa TVSH) dhe ka diskualifikuar Operatorin Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK, e cila ka ofertuar me cmim 349,731.20 EUR (me TVSH). Tani, si arsyetim, Zyra e Prokurimit të Komunës së Shtimes, ka gjetur se Kërkesa / Kriteri për Licensën për Shërbime Sociale, ka qenë e titulluar: “Licensë për Ofrimin e Shërbimeve të përkujdesjes së drejtëpërdrejtë sociale në shtëpi dhe asistencë material për persona që nuk mund të kujdesen për vetën, të moshuar dhe me aftësi të kufizuara”, ndërkaq, si arsyetim për diskualifikim, është dhënë se KosovaMed Healthcare SHPK, ka “Licensë për Ofrimin e Shërbimeve të përkujdesjes së drejtëpërdrejtë sociale në shtëpi dhe asistencë material për persona që nuk mund të kujdesen për vetën”, kurse fjalia, të moshuar dhe me aftësi të kufizuara, nuk është i përfshirë në përshkrim të licensës.

Hulumtimi ynë ka gjetur se edhe kjo arsye, është vetëm një tentativë e rradhës e Komunës së Shtimes, për përshtatjen e tenderit për Caritas Kosova, pasi që emërtimi i tillë i Kriterit në tender nga Komuna e Shtimes, është identik me emërtimin e përshkrimit të licensës që Caritas Kosova e ka. Në bazë të hulumtimit tonë, del se Caritas Kosova dhe KosovaMed Healthcare SHPK, të dyja kan pasur të njejtën licensë, për të njejtin shërbim social, pasi që ky Shërbim Social për të cilën të dy Operatorët Ekonomik janë të licensuar, mbanë numrin 32, në dokumentin publik dhe ligjor: “Lista e shërbimeve sociale dhe familjare për licencim të ofrueseve nga sektori joqeveritar dhe privat, duke përfshirë minimumin e ofrueseve individual dhe hapësirës minimale për ushtrimin e veprimtarisë”. Hulumtimi ynë gjenë se Shërbimi Social me numër 32, përfshinë dy kategori, pra, a) të moshuarit dhe b) personat me aftësi të kufizuara. Pra, nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që të diskualifikohej KosovaMed Healthcare SHPK, sepse ky Operator Ekonomik ishte i licensuar për shërbimin social me numër 32, që përfshinë këto kategori në mënyrë automatike. Por, u diskualifikua vetëm se nuk e kishte të njejtin emërtim në licensë, sikurse që e kishte Caritas Kosova, që ishte identike me Kriterin e tenderit. Vlenë të theksohet se licensa e Caritas Kosova, mbanë datë më të hershme sesa Njoftimi për Tender, pra, duket që ky Kriter, është kapur “copy paste” nga licensa e Caritas Kosova.

Kjo situatë rëndohet akoma më shumë, duke marrë parasyshë se në Kërkesën për Sqarim të cekur më sipër, Komuna e Shtimes ka mundur lehtësisht që Operatorit Ekonomik “KosovaMed Healthcare SHPK” të i’a cekë edhe këtë situatë. Mirëpo, Komuna, duke u gjendur në një situatë që duhet medoemos të i’a jap Caritas Kosovës tenderin, ka “zbuluar” edhe këtë arsyetim të kundërligjshëm për ta diskualifikuar Operatorin Ekonomik me cmimin më të lirë, që ishte KosovaMed Healthcare SHPK.

Për epilogun e fazës së tretë të këtij Hulumtimi, gazeta jonë do të ju mbajë të informuar, posa ta pranojmë Vendimin nga OSHP-ja.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer