Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në Komunën e Drenasit në dy raste kishte pasur vonesa në lëshimin e vendimeve për lejet ndërtimore.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024, Komuna e Drenasit u vonua deri në 220 ditë në lëshimin e lejeve ndërtimore, pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore.
Vlera totale e rasteve që kanë audituar nga ZKA është 100,610 euro.
“Kjo ka ndodhur për arsye të mosfunksionimit efektiv të kontrolleve të brendshme dhe vonesat në pëlqimin nga KEDS-i për kompletimin me kohë të dokumentacionit” – kanë gjetur auditorët në Komunën e Drenasit.
Auditorët kanë gjetur se vonesat në lëshimin e lejeve ndërtimore përveç inkasimit me vonesë të të hyrave, ndikojnë në ligjshmërinë dhe efikasitetin e lëshimit të lejeve ndërtimore.
Neni 17, pika 1.2, në Ligjin e Ndërtimit thotë: “Leja ndërtimore lëshohet nga organi kompetent brenda 30 ditëve pas pranimit të kërkesës për leje ndërtimore për kategorinë I dhe 45 ditë për kategoritë II dhe III”.
ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci se duhet të sigurojë që të respektohen afatet ligjore për lëshimin e lejeve ndërtimore, duke forcuar kontrollin e brendshëm dhe mbikëqyrjen mbi trajtimin e kërkesave, në mënyrë që të mundësohet mbledhja me kohë e të hyrave.
Komuna e Drenasit është pajtuar me këtë gjetje të auditorit.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Drenasit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024. Opinioni i kualifikuar është opinioni i dytë më i mirë që iu jepet institucioneve pas opinionit të pamodifikuar. Ky opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në pasqyrat financiare.
Baza e opinionit të kualifikuar të ZKA-së për Komunën e Drenasit kanë qenë gjetjet si: keqklasifikimi i shpenzimeve, nënvlerësimi i pasurive jokapitale, mangësi në pranimin e shërbimeve, mangësi në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit, tejkalime kontraktuale dhe mangësi në fushën e të hyrave.
Në raportin e vitit 2024, Komuna e Drenasit ka marrë 11 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe 4 të përsëritura.
Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2023 i kishte dhënë Komunës së Drenasit kishte marrë 5 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2024, një rekomandim është zbatuar dhe 4 nuk janë adresuar ende.