Vetëvendosje po vazhdon të rehatojë njerëz nëpër pozita të larta me praktikat e nepotizmit. Këtë herë një pozitë ka marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Vera Berisha-Ndrejaj, bashkëshortja e Zef Ndrejajt, i cili është Drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë dhe ish-kandidat i Vetëvendosjes për deputet.
Zef Ndrejaj nuk do të jetë më i vetmi drejtor në familjen e tij.
Një pozitë të tillë tash e tutje do ta gëzojë edhe gruaja e tij, Vera Berisha-Ndrejaj.
Vera që deri tash ka punuar si mjeke infektologe në Kliniken e Infektives është avancuar në detyrë.
Ajo në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Spitalor dhe Klinika Universitare e Kosovës është emëruar udhëheqëse e Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse.
Në një listë që ka siguruar Demokracia.com, ajo shihet se ka marrë 51.5 pikë në test, 29.8 pikë në intervistë dhe si pikë maksimale ka 81.3.
Por, kjo procedurë po shihet si formale, pasi lidhja e saj me pushtetin dhe pozita e bashkëshortit të saj ngre dyshime të forta për favorizim.
Zef Ndrejaj, përveç se Drejtor i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjike në QKUK, është edhe zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
Në zgjedhjet e fundit, ai ishte kandidat për deputet me numrin 45, por nuk arriti të fitojë vota të mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.