Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Fushticë e Ulët të Drenasit, ku një i mitur ka përfunduar në QKUK pas një sulmi brutal nga një person i rritur.
Burimet e Sinjalit konfirmojnë se i dyshuari në këtë rast është A. Bajrami, 31 vjeçar, i cili është arrestuar pasi ka goditur me shkop druri në kokë një të mitur 12-vjeçar, pas një mosmarrëveshjeje të çastit.
I mituri ka marrë trajtim fillimisht në QMF – Komoran dhe më pas në QKUK – Prishtinë, ndërsa pas trajtimit është paraqitur në Stacionin Policor në Drenas bashkë me nënën për të dhënë deklaratë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Ardian Bajrami është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.