Një ngjarje e rëndë është raportuar të shtunën në mbrëmje në qytetin e Drenasit, ku një 17-vjeçar ka përfunduar në spital me lëndime serioze në kokë, si pasojë e një sulmi të dhunshëm.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 21 qershor 2025, rreth orës 20:30 dhe është raportuar fillimisht nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas, ku viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas goditjes me një shkop druri në pjesën e kokës.
Për shkak të natyrës së lëndimeve, viktima është dërguar me urgjencë në QKUK – Prishtinë, ku është duke u trajtuar nga stafi mjekësor.
Në lidhje me rastin janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar.
Motivi i incidentit për momentin mbetet i paqartë, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa të dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.