Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, i ka reaguar deputetit Albin Kurti, i cili mbrëmë ka thënë se zyrtarët e PDK-së vizitat e tyre ne Hagë të Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i bëjnë për të marrë instruksione politike.
Ai ka thënë se kryetari i VV-së gjithmonë ka qenë i çorientuar, frikacak dhe shpifës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hajdari ka shkruar se PDK-ja e ka vetëm një kryetar.
“I çorientuar, i frikësuar e shpifës si gjithmonë. Albin Kurti, frikacaku më i madh politik në historinë e Kosovës, nuk guxon të japë as intervista e aq më pak të marrë pjesë në debate. Kur me njëmijë zore ia del ta thotë një fjalë në publik, shpif si gjithmonë. Ndaj kujt? Ndaj atyre që ua ka frikën. Ndaj PDK-së. E di që do ta fundosim prandaj çirret”, ka shkruar ai, duke shtuar se PDK-ja është krenare me Hashim Thacin dhe Kadri Veselin.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka vetëm një kryetar. Po, themeluesit i ka në Hagë. Paskajshmërisht më dinjitozë e më të guximshëm se Kurti. Megjithatë, kryetari i PDK-së është i zgjedhur nga organet e Partisë Demokratike. S’kemi nevojë për vlerësimin e Kurtit. As për reformim, as për raportet e PDK-së me shtetin. Kur të vlerëson Kurti, duhet të reflektosh. Kur të shan, je në rrugën e duhur. Frikacakut po i dridhet toka nën këmbë. Çlirohu, se nuk të shërojmë dot!”, ka shkruar ai.