Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se nxjerrja e akteve nënligjore nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Pikë për pikë, Gjykata Supreme i vuri sot vulën e paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë ndaj deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë “ministra”, të cilët vijojnë të mbajnë njëkohësisht dy poste, në kundërshtim me ligjin.
Supmremja aprovoi në tërësi padinë e Enternet Sh.p.k. dhe Konsorciumit Service Global, duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Me këtë vendim, Gjykata rrëzon një akt që, sipas gjykatës, është nxjerrë me tejkalim të kompetencave dhe në shkelje të rregullave kushtetuese dhe ligjore.
“APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk […] dhe Konsorciumi Service Global, […], e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me seli në Prishtinë. II.
SHPALLET I PALIGJSHËM DHE SHFUQIZOHET Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, i publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 16.04.2025.
Shkeljet kryesore të konstatuara nga Gjykata:
• Përfundimi i mandatit të ministrit
Sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë, mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon automatikisht me zgjedhjen e tij si deputet. Hekuran Murati u certifikua deputet më 27 mars 2025, ndërsa Udhëzimi u nënshkrua pas certifikimit si deputet.
• Konflikti i interesit dhe papajtueshmëria funksionale
Kushtetuta (neni 71) ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive e ligjislative. Ministri, tashmë deputet, nuk ka pasur mandat ligjor të ushtrojë kompetencat e ministrit.
• Miratim i jashtë-procedurës nga Qeveria në dorëheqje
Neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon Qeverinë në dorëheqje vetëm në aktivitetet e domosdoshme e të planifikuara; nxjerrja e një udhëzimi të ri fiskal kategorikisht tejkalon këto kompetenca.
• Mospërputhje me procedurën e shqyrtimit dhe miratimit
Neni 11 i Ligjit për Qeverinë përcakton se projekt-aktet nënligjore miratohen paraprakisht nga Qeveria si kolegjium i plotë. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim qeveritar që të mbështesë Udhëzimin nr. 01/2025.
Me këto gjetje, Gjykata ka konstatuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të ndarjes së pushteteve, me ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative dhe me legjislacionin mbi organizimin e Qeverisë.
Për rrjedhojë, ai u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua në tërësi, duke i rikthyer të drejtën legjitime tatimpaguesve ekzistues për të vazhduar operimin me arkat dhe softuerët e fiskalizimit përmes modaliteteve të mëparshme.
