Friday, July 18, 2025

Përparim Gruda e “çmonton” interpretimin e Muratit: Po e ngatërron fillimin e mandatit me ushtrimi e plotë të funksioneve parlamentare

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25 deputetët ende nuk janë ngarkuar zyrtarisht me këtë funksion.

Gruda ka bërë me dije se interpretimi i aktgjykimit nga Murati është krejtësisht i pasaktë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar edhe arsyet pse Murati po e interpreton gabimisht aktgjykimin në fjalë.

“Ky interpretim i aktgjykimit është krejtësisht i pasaktë për arsyet në vijim: 1. Neni 70, paragrafi 2 i Kushtetutës përcakton se: “Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes”. Paragrafi vijues i këtij neni, paragrafi 3, përcakton: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: (1) nuk bën betimin (…)”. Pra, mosdhënia e betimit mund të jetë shkak për të humbur mandatin, por ai nuk fillon me betim, por me certifikim. Fakti se Kushtetuta thotë se mandati humbet ose bëhet i pavlefshëm nëse nuk bëhet betimi, do të thotë që ai tashmë ka filluar”, ka shkruar Gruda, duke dhënë arsyeje tjera.

“ 2. Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 138, po e sqaron qartë Kushtetutën, por nuk po thotë atë që deputeti Murati mendon se po thotë. Ajo përcaktonj: “(…) ky mandat nuk mund të ushtrohet në mënyrë të plotë pa përmbushjen e kërkesave të paragrafit 3 të po këtij neni, veçanërisht pa dhënien e betimit, i cili është pjesë përbërëse e procesit konstituiv dhe që, po ashtu, realizohet në Seancën Konstituive”. Pra, Gjykata po thotë “nuk mund të ushtrohet në mënyrë të PLOTË”. E saktë – pa u konstituar Kuvendi, deputeti nuk mund të ushtrojë funksionin e plotë, p.sh. nuk mund të votojë ligje, nuk mund të bëjë pyetje parlamentare dhe shumë funksione të tjera. Por mund të kryejë disa funksione edhe pa u konstituar Kuvendi në tërësi, p.sh. të dërgojë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, sikurse kanë bërë deputetë të AAK-së dhe të tjerë që kanë dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese mbi bazën e së cilës është nxjerrë ky aktgjykim. Nëse nuk do të ishin deputetë, nuk do të pranohej kërkesa për shqyrtim fare nga Gjykata”, ka shkruar ai.

Sipas Grudës, Murati po e ngatërron fillimin e ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit. “3. Ka dallim thelbësor midis fillimit të ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit. Momentalisht, deputetët janë duke ushtruar vetëm një pjesë të funksioneve të tyre sepse Kuvendi nuk është konstituar ende, por ata janë deputetë, sepse ndryshe as nuk do të kishin mundur të hynin në sallën e Kuvendit. Deputeti Murati ngatërron konceptet si: – fillimi i mandatit, – ushtrimi i pjesshëm i funksioneve, dhe – ushtrimi i plotë i funksioneve parlamentare. Ky ngatërrim çon në një interpretim të gabuar të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer