Saturday, August 2, 2025

“Furnizim me ujë në gjashtëmujorin e parë të mandatit”, Ferit Idrizi u premtoi shumë qytetarëve të Vushtrrisë, mirëpo edhe dështoi shumë?

Kur Ferit Idrizi i hyri garës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, ai premtoi shumë ndryshime për qytetin dhe fshatrat e tij. Disa prej premtimeve janë realizuar, disa kanë nisur, ndërsa për të tjerat nuk dihet se ku kanë mbetur.

“Zotohem se të gjithë energjinë time do ta kem për qytetarët dhe do të jem i hapur për të gjithë”, ka deklaruar Idrizi, kur mori pushtetin.

Por, si qëndron sot bilanci i punës së tij?

Sipas të dhënave të Institutit GAP, Idrizi kishte dhënë gjithsej 51 premtime gjatë fushatës:

8 – ende nuk kanë nisur
33 – janë përmbushur plotësisht

1 -është përmbushur pjesërisht

9 – janë në fazë fillestare

Premtimi për ujë të pijshëm në çdo fshat
Një nga premtimet kryesore që Idrizi ua bëri qytetarëve gjatë fushatës ishte furnizimi me ujë të pijshëm në çdo fshat brenda gjashtë muajve të parë të mandatit.

Një premtim që prek drejtpërdrejtë cilësinë e jetë së qytetarëve atje.

“Kemi pasur takimin e parë me bordin regjional të ujësjellësit dhe me kompaninë e cila është duke e zbatuar projektin. Jemi në vazhdimësi në mbikëqyrje të kësaj, ju kemi premtuar qytetarëve që brenda vitit 2022 do të furnizohen të gjithë qytetarët në Komunën e Vushtrrisë me ujë të pijes dhe ne do të angazhohemi që t’iu dalim në fjalë ashtu si ju kemi premtuar”, thoshte ai.

Këtë nuk arriti ta bëj, jo për gjashtë muaj por as për tërë mandatin.

Asamblisti i LDK-së , Shkelzen Xhaferi, i tha Insajderit se asnjë fshat nuk është furnizuar me ujë.

Në ndërkohë, nga Komuna e Vushtrrisë kishin deklaruar se 60% e vendbanimeve të Vushtrrisë furnizohen me ujë.

Zona Ekonomike në Banjskë

Një premtim i kamotshëm i Ferit Idrizit, është edhe Zona Ekonomike në Banjskë.

Në vitin 2017, ai u dha fjalën qytetarëve se do hap zonën ekomomike me 70 hektarë.

Zona ekonomike në Banjskë” (ose “Bajskë”), e cila është projektuar për t’u zhvilluar në afërsi të Vushtrrisë si një zonë industriale/e ekonomike me mbështetje për investitorë dhe punësim me rreth 70 ha sipërfaqe perspektive.

Por, që edhe ky projekt nuk u realizua.

Idrizi edhe për fushën e bizneseve, premtoi financim 50 për qind të bizneseve individuale me kosto mbi 2000-4000 euro.

Ky premtim sipas GAP del se nuk është realizuar.

Laptopët për mësuesit – premtim i harruar
I pari i Vushtrrisë që është marrë një kohë të gjatë me arsimin, kur mori pushtetin deklaroi se në fokus të punës së tij do ta ketë përmirësimin e cilësisë së arsimit në këtë komunë.

Ai, në vitin 2021, kishte takuar mësimdhënësit nga Vushtrria.

Ferit Idrizi, atyre u premtoi që gjatë mandatit të tij çdo mësimdhënës do të pajiset me laptop dhe çdo klasë do të pajiset me SMART Boards.

Por, as laptopët dhe as SMART Boards nuk janë shpërndarë, ndërsa problemet me kontratat kolektive mbesin të pazgjidhura.

Në anën tjetër pushteti i tij u karakterizua me punësime partiake e tenderë që nxitën diskutime.

Tenderi mbi 62 mijë euro në Vushtrri| Komuna e Ferit Idrizit favorizoi një kompani duke ia përshtatur kriteret


Zyra Kombëtare e Auditimit kishte evidentuar shkelje në një procedurë të prokurimit nga Komuna e Vushtrrisë, nën udhëheqjen e kryetarit Ferit Idrizi. Sipas ZKA’së në një tender me vlerë mbi 62 mijë euro, specifikimet teknike ishin të favorizuara duke eliminuar konkurrencën. Insajderi sjell detaje.

Një gjetje e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin e kaluar hedh dritë mbi një rast të favorizimit të operatorëve ekonomikë në Komunën e Vushtrrisë, udhëhequr nga kryetari Ferit Idrizi.

Sipas raportit, në procedurën e prokurimit me titull “Blerje furnizim dhe montimi i kaldas me qiler në QMF-1” në vlerë 62,062€, janë përfshirë specifikime teknike që kanë rezultuar të jenë favorizuese, duke eliminuar në mënyrë efektive konkurrencën dhe duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë në tender.

“Në procedurën e prokurimit “Blerje furnizim dhe montimi i kalldas me qiler në QMF-1″ në vlerë 62,062€, komuna me rastin e përcaktimit të specifikave në dosjen e tenderit, tek pjesa B, pozicioni 1, ishin përdorur marka tregtare apo emra të prodhuesit MECO për ventilatorët-konvektorëve, pa përdorur edhe termin të ngjashëm, duke përdorur kritere favorizuese të cilat kishin eliminuar konkurrencën”, thuhet në raport.

Ligji për prokurimin publik e ndalon qartësisht hartimin e specifikimeve teknike që favorizojnë apo diskriminojnë operatorë të caktuar. Përkundër kësaj, autoriteti kontraktues, në këtë rast komuna kishte lejuar përpilimin e kritereve që qartazi e drejtonin tenderin drejt një operatori të vetëm.

ZKA vëren se këto shkelje kanë ndodhur për shkak të kontrollit të dobët nga njësitë kërkuese dhe zyra e prokurimit në përpilimin e specifikimeve teknike.

Ndikimi i këtij rasti është që shkakton trajtim jo të barabartë apo diskriminimin e operatorëve ekonimik dhe dëmton konkurrencën. .

ZKA ka rekomanduar që kryetari i komunës, Ferit Idrizi, të forcojë kontrollin mbi përpilimin e specifikimeve teknike dhe të sigurojë që zyra e prokurimit të veprojë në përputhje me ligjin, duke shmangur çdo kriter që favorizon operatorë të caktuar./Insajderi

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer