Monday, August 4, 2025

Edhe 4 milionë euro për kompaninë e lidhur me ish-drejtorin e AKPM-së

Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e ushtruesit të detyrës së ministrit, Arben Vitia, ka proceduar me një kontratë të madhe publike. Bëhet fjalë për një tender me vlerë mbi 4.4 milionë euro, i cili tashmë është i qasshëm për publikun në platformën zyrtare të prokurimit elektronik, e-prokurimi, shkruan demokracia.com.

Fitues i këtij tenderi është kompania Meditech, një emër që nuk është i panjohur në fushën e kontraktimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Ajo që e bën këtë kontratë edhe më të ndjeshme është fakti se në strukturën pronësore të kësaj kompanie figuron Arianit Jakupi, ish-drejtor i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) – institucioni që në të kaluarën është marrë me autorizimin e produkteve farmaceutike në vend.

Meditech do të jetë përgjegjëse për furnizimin e Ministrisë së Shëndetësisë me Ocrelizumab, një terapi e avancuar biologjike e përdorur për trajtimin e sklerozës multiple – një sëmundje serioze e sistemit nervor. Ky ilaç, që përdoret në format progresive dhe relapsuese të kësaj sëmundjeje, është relativisht i ri në treg dhe i përfshirë në terapitë e shtrenjta të mbuluara nga buxheti i shtetit.

Para pakë ditësh portali Front Online kishte publikuar një hulumtim ku kishte raportuar se më shumë se 153 kontrata publike në një vlerë që tejkalon 75 milionë euro, ka përfituar gjatë katër viteve të fundit kompania farmaceutike ”Meditech”, kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK.Periudha e përfitimeve përfshinë vitet 2021 deri në 2025, dhe për nga shuma, kjo kompani renditet ndër përfituesit më të mëdhenj nga buxheti i shtetit në sektorin e barnave.

Edhe pse procedurat janë të hapura dhe të dokumentuara në sistemin elektronik të prokurimit, lidhja ndërmjet ish-zyrtarëve të institucioneve rregullative dhe operatorëve ekonomikë që përfitojnë tenderë ka qenë vazhdimisht temë shqetësimi për organizatat e shoqërisë civile dhe për mediat që mbulojnë sektorin e shëndetësisë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer