Lulzim Dragidella, kandidat i Vetëvendosjes për komunën e Klinës, ka vendosur të tërhiqet komplet nga kjo parti.
Përmes një shkrimi të gjatë, ai i ka bërë të ditura edhe arsyet rreth këtij vendimi.
Dragidella ka treguar se si trajtohen aktivistët brenda këtij subjekti politik.
“Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij”, deklaroi ai.
“Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë”, theksoi Dragidella.