Mbi 9 milionë Euro tender nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësirnor (MMPH), ka fituar grupi i operatoreve ekonomik “Kosova Asfalt, El Bau, Gërlica Company, Avag Group, Asfalt Corp, Udha Shpk”. Lideri i këtij konzorciumi “Kosova Asfalt”, është në pronësi të Valdrin Shabanit, djali i Bujar Shabanit: me të cilin zëvendësministri i Ministrisë tenderuese, Hysen Durmishi, njihen nga viti 2001, shkruan rajoni.org.
Konzorciumi fitues e cila ka si lider djalin e Bujar Shabanit e ka fituar lotin2 për zgjerimin e rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq, në vlerë të përgjithshme 9 milion e 244 mijë e 390 euro e 90 cent.
Njoftimi mbi vendimin e autoriteti kontraktues për shpalljen fituese të konsorciumit në krye me kompaninë “Kosova Asfalt” është marre sot.
Lidhja e Hysend Durmishit me Bujar Shabanin
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e kishte pranuar se e ka shok Bujar Shabanin, pronarin e biznesit ‘Bageri’, kompani që kishte fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës.
Në një intervistë në ‘Kallxo Përnime’, Durmishi kishte thënë se nuk ka punuar në kompaninë e tij, por vetëm e kishte ndihmuar me këshilla.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë”, kishte thënë Durmishi.