Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukaj.
Sipas aktakuzës, Faruk Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të komunës, dhe Hysen Muzliukaj, si drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria i akuzon të pandehurit se, më 25 prill 2021, me dashje dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me interesin publik. Ata dyshohet se i kanë paraqitur Kuvendit Komunal një propozim-vendim për këmbimin e një prone, duke e prezantuar atë si pronë komunale, ndonëse ajo ishte shpallur dy herë më parë me interes të posaçëm publik nga i njëjti Kuvend.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurëve F.M dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.
Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Ndërkohë, i pandehuri F.M. akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M.