Friday, September 12, 2025

Çka është Dialogu Strategjik që SHBA e pezulloi me Kosovën?

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sot se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Për këtë vendim ka njoftuar ambasada amerikane në Kosovë, e cila tha se veprimet e Qeverisë Kurti “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”, ka thënë ambasada amerikane”.

Por çka është Dialogu Strategjik të cilin sot e pezulloi SHBA?

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

Dialogu strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.

Ushtarët e ushtrisë amerikane pranë flamurit amerikan gjatë një stërvitjeje të përbashkët ushtarake të NATO-s në Bullgari, shtator 2023.Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.

Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.

“Këta hapa të propozuar përfshijnë nisjen e dialogut strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të senatores Jeanne Shaheen.

Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.

Në atë kohë, të dyja vendet theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe riafirmuan angazhimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes nismave politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Në takim ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të avancuara të mbrojtjes, zhvillimit të stërvitjeve dhe aktiviteteve të trajnimit dypalësh për të përmirësuar ndërveprimin dhe gatishmërinë.

Për më tepër, ata riafirmuan angazhimin për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe ndanë angazhimin për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer