Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, është kapur disa herë brenda pak javësh në shkelje të rënda procedurale gjatë rekrutimit në shërbimin civil. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka anuluar disa konkurse, duke konstatuar se përzgjedhjet e kandidatëve ishin bërë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret në fuqi, shkruan Demokracia.com
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me në krye ministrin Faton Peci, është detyruar të anulojë konkursin për pozitën “Zyrtar i Lartë për Entomologji, Fitopatologji dhe Laborator” në Institutin e Pylltarisë në Pejë, pas ndërhyrjes së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Këtë e ka pranuar vetë ministria në një dokument të nguruar në ueb faqen e saj.
Ky konkurs, i shpallur më 28 janar 2025 dhe i mbyllur më 27 shkurt 2025, ishte përfunduar me shpalljen e kandidatit të suksesshëm. Mirëpo, njëri nga aplikuesit kishte paraqitur ankesë, e cila është aprovoar si e bazuar nga KPMSHCK me vendimin A.nr.756/2025, të datës 29 prill 2025.
Pas verifikimit të procedurës, Këshilli konstatoi shkelje procedurale gjatë rekrutimit, duke i dhënë të drejtë ankuesit dhe duke detyruar Ministrinë që të anulojë tërë konkursin. Në njoftimin e zyrtarizuar më 24 korrik 2025 (KMSHCK -5069/2025), Ministria pranon se përzgjedhja e bërë ishte e paligjshme.
Këshilli anuloi përzgjedhjen për pozitën në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës patra pak ditëve ka konstatuar shkelje serioze në një tjetër konkurs të Ministrisë së Bujqësisë, të udhëhequr nga Faton Peci. Me vendimin A.nr.1093/2025, të datës 7 gusht 2025, Këshilli aprovoi si të bazuar ankesën e kandidates M.D-K dhe anuloi konkursin me numër reference RN00017239 për pozitën “Zyrtar për Administrimin e Dokumenteve dhe Arkiv” në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë.
Sipas gjetjeve të Kolegjit të Këshillit, Ministria kishte shpallur pozitën në kundërshtim me Katalogun e Vendeve të Punës për Shërbimin Civil, duke ndryshuar kriteret e arsimimit dhe duke lejuar pjesëmarrjen e kandidatëve që nuk i plotësonin kërkesat ligjore. Konkretisht, për këtë pozitë kërkohej diplomë në fusha të caktuara si Juridik, Histori, Arkivistikë apo Antropologji, por Ministria kishte lënë kriteret të hapura, duke devijuar nga rregulloret në fuqi.
Nga ky konkurs kishin aplikuar 88 kandidatë, ndërsa në listën e ngushtë ishin përzgjedhur 42, përfshirë edhe ankuesen. Megjithatë, kandidatja e shpallur fituese, sipas pretendimeve, nuk i kishte plotësuar kriteret, ndërsa Këshilli konstatoi se shkeljet ishin të tilla që komprometonin të gjithë procesin.
Për pasojë, Këshilli anuloi konkursin dhe obligoi Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë që brenda 15 ditëve të zbatojë vendimin. Ky është rasti i dytë brenda pak javësh ku Ministria e Pecit kapet në shkelje të procedurave ligjore për rekrutim, duke ngritur shqetësime për favorizime dhe manipulime në konkurset publike.
Edhe konkursi për Haxhiun shpallet i paligjshëm
Vetëm pak ditë më parë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil kishte konstatuar shkelje edhe në një rast tjetër brenda Ministrisë së Bujqësisë. Bëhet fjalë për rastin e Bleron Haxhiut, i cili për gati një vit kishte përfituar nga emërime të kundërligjshme dhe procedura jo transparente në këtë ministri.
Në mars të vitit 2025, Haxhiu u emërua Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa, edhe pse procesi ishte kontestuar nga kandidatët pjesëmarrës.
Pas ankesës së parashtruar nga vetë Haxhiu, Këshilli, me vendimin e datës 22 gusht 2025, konstatoi se Ministria kishte refuzuar aplikacionin e tij në mënyrë të kundërligjshme dhe kishte shpallur fitues një kandidat tjetër në kundërshtim me ligjin. Si pasojë, Këshilli anuloi njoftimet e Ministrisë dhe e ktheu lëndën për rishqyrtim, duke zbuluar edhe njëherë shkeljet sistematike në konkurset e drejtuara nga Faton Peci.
Ky rast tregon se për muaj të tërë një person kishte ushtruar pozita të rëndësishme pa bazë ligjore, ndërsa mekanizmat e pavarur, megjithëse me vonesë, po detyrojnë ministrinë të korrigjojë proceset e saj të brendshme. /Demokracia.com/