Gjimnazi “Frang Bardhi” në Mitrovicë ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Faton Peci në emisionin politik të Kanal 10 më 19 shtator 2025, ku u përmend se drejtori i këtij institucioni është pa mandat.
Në reagimin zyrtar, shkolla sqaroi se drejtori aktual, Luan Mehmeti, është zgjedhur përmes një konkursi të rregullt, nga i cili ka dalë kandidati më i suksesshëm. Ai është emëruar më 8 mars 2024 me mandat katërvjeçar, i cili përfundon më 7 mars 2028, në bazë të vendimit dhe kontratës zyrtare.
Sipas shkollës, Mehmeti ka mbi 30 vite përvojë në arsim, duke përfshirë më shumë se katër vitet e fundit në pozita udhëheqëse. Ai është vlerësuar për profesionalizëm të vazhdueshëm, pa asnjë vërejtje, ndërsa gëzon respektin e nxënësve, stafit mësimdhënës dhe komunitetit të gjerë. Puna e tij është vlerësuar gjithashtu nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Gjimnazi “Frang Bardhi” ka theksuar se çdo deklarim publik duhet të bazohet në informata të sakta, për të shmangur dezinformimin dhe cenimin e integritetit personal e profesional të individëve.
Në fund të reagimit, shkolla ka theksuar se është e domosdoshme që e vërteta të vendoset në vendin e saj.