Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur një tjetër tubim zgjedhor madhështor, këtë herë me qytetarët e Nekocit. Në takim ishin të pranishëm edhe kandidatët për Asamble Komunale, Minavere Murseli, Arben Zeka dhe të tjerë nga lista e PDK-së.
Lladrovci tha se dita e vendimit për “Drenasin Kampion” po afron dhe se në çdo tubim mbështetja qytetare po shtohet. Ai theksoi se qytetarët kanë “101 arsye” për të përkrahur vizionin e tij.
“Qytetarët kampionë kanë rrugën e tyre të ndritur, të vlerësuar për punë të mira, me transparencë dhe llogaridhënie. Keqbërësit me bedelë po përpiqen me shpifje, por kot e kanë. Asgjë nuk mund ta mjegullojë kontributin tim atdhetar për gati katër dekada dhe rrugën e përbashkët me heronjtë tanë të luftës dhe paqes”, u shpreh ai.
Lladrovci theksoi se mbetet i përkushtuar për ligjshmëri dhe barazi para ligjit, duke mos iu nënshtruar as pushteteve të ndërmjetme e as faktorëve joligjorë.
“Vizioni im ka përkrahjen më të madhe qytetare ndonjëherë. Ne do të vazhdojmë me 101 arsye ‘Për Drenasin Kampion’, në zemrën e Kosovës. Vazhdojmë edhe katër!”, deklaroi ai.