Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, po vazhdon takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore, duke theksuar se mbështetja për ekipin e tij është më e fuqishme se kurrë më parë.
Në tubimet e mbajtura në Shkollën “Migjeni” dhe “Halil Bajraktari”, Lladrovci ka bashkëbiseduar me qytetarët e Baicës dhe Drenasi II, së bashku me kandidatët për Kuvend, Alban Lekun, Ekrem Elshanin, Burbuqe Istogu Hoxhën dhe të tjerë nga lista e tij, të cilët kanë prezantuar “101 arsyet për Drenasin Kampion” dhe kanë theksuar rëndësinë e votimit më 12 tetor.
“Fryma e fitores me javë të tëra është e pandalshme. Qytetarët dinjitoz e krenarë, në tubimet tona si asnjëherë më parë, po shfaqin bindjen e fuqishme se rruga e drejtë, barazia para ligjit dhe performanca e shkëlqyer janë kushti i fitores,” ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka kujtuar edhe momentet kur ka fituar çmimet e performancës komunale në nivel nacional:
“Kur për herë të parë para mediave më pyetën si kampion i performancës komunale, çmimin ia dedikova Kadri Veselit – përkrahësit dhe motivuesit tim për zbatim të ligjit. Në vitin tjetër, si kampion, dedikimin ia bëra Hashim Thaçit, ndërsa më pas vëllait tim, heroit Fehmi Lladrovci.”
Sipas tij, puna e ekipit të tij në shërbim të qytetarëve është “detyrim dhe zbatim i fjalës së dhënë”, duke shtuar se interesi dhe besimi qytetar mbeten prioriteti ynë, për Drenasin – zemrën e Kosovës.
“Me 101 arsye ‘Për Drenasin Kampion’, vazhdojmë edhe katër,” përfundoi Lladrovci, duke ftuar qytetarët të shfletojnë programin 2025–2029 në faqen zyrtare: www.perdrenasinkampion.com.