Thursday, October 16, 2025

FSK-ja futet gabimisht në veri

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjte, ku kanë qëndruar për disa minuta, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshami.

Sipas raportimeve të mediave serbe dhe videove që kanë qarkulluar në Telegram, automjetet e FSK-së hynë në Mitrovicën e Veriut në orët e mëngjesit.

Dëshmitarë okularë kanë thënë për “KoSSev” se automjetet qëndruan aty për rreth dhjetë minuta. Ishin pothuajse dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer dhe tre deri në katër kamionë. Fillimisht, qytetarët menduan se ishte KFOR-i.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së. Ai shtoi se ata kaluan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën.

Sipas Elshanit, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut.

Elshani gjithashtu theksoi se pjesëtarët e FSK-së nuk kishin armë.

Kur u pyet nga “KoSSev” sesi është e mundur që FSK-ja të bëjë një gabim të tillë në përcaktimin e vendndodhjes, ai u përgjigj se kjo është “pyetje e mirë”, por për FSK-në.

Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer